Propozimi për shqyrtimin e kandidaturës së Presidentit rus për marrjen e Çmimit Nobel për Paqen i është dërguar tashmë Komitetit të Çmimeve Nobel. Të paktën kështu konfirmojnë ato media, në dispozicionin e të cilave u gjend letra zyrtare me argumentimet e detajuara për një iniciativë të tillë. Kjo letër është shkruar nga Presidenti i Fondacionit Mbarërus për Arsimin Sergei Komkov. Ja se si e ka komentuar këtë informacion eksperti i këtij fondacioni Oleg Sergejev:

- Javën e kaluar Presidenti i Fondacionit Mbarërus për Arsimin Sergei Komkov propozoi idenë që Çmimi Nobel për Paqen t’i jepej Presidentit rus Vladimir Putin. Për dhënien fund të luftës në Afganistan u nderua me Çmimin Nobel Gorbaçovi. Obama gjithashtu e ka marrë këtë çmim për nismat e tij paqësore. Putin arriti progresin intelektual për garantimin e paqes në Lindjen e Mesme dhe në Siri.

Paralelisht me nismën e shkencëtarëve rusë gjithnjë e më shumë rreth meritave të Vladimir Putinit për zgjidhjen e krizës siriane flitet në Europë. Në Francë, për shembull, ka filluar mbledhja e firmave nën një peticion, përmbajtja e të cilit është e ngjashme me letrën e Komkovit. Ndërsa në rrugët e Romës janë shfaqur postera me imazhin e Presidentit rus dhe fjalët "Unë jam me Putinin". Qëndrimi i Presidentit rus gëzon një popullaritet të madh, ndërsa vetë Putini po mbledh rreth vetes gjithnjë e më shumë përkrahës, thotë korrespondenti i "The Asia Times" dhe autori i librit "Obama po krijon Globalistanin" (Obama does Globalistan) Pepe Escobar:

- Unë do të doja që në mbarë botën të zhvillohej një referendum mbi këtë çështje. Unë jam i sigurt se Putini do të fitonte.

Komiteti i Çmimeve Nobel nuk jep asnjë koment lidhur me propozimin e kandidaturës së Putinit për marrjen e Çmimit Nobel për Paqen, dhe thekson se në çdo rrethanë i gjithë informacioni mbi kandidatët e çmimit mbahet sekret. Fituesit do të shpallen jo më parë se në datën 11 tetor.