Ky do të jetë rrugëtimi më i gjatë i zjarrit gjatë gjithë historisë së Lojërave Olimpike. Teleshikuesit e planetit do të kenë mundësinë unike, për të parë shumëllojshmërinë e rajoneve të Rusisë. Për herë të parë në histori pishtari olimpik do të dërgohet në kozmos të hapur. Lëshimi i anijes kozmike "Soyuz" nga kozmodromi "Bajkonur" është planifikuar për në datën 26 shtator. Pishtari olimpik do të dërgohet në Stacionin Kozmik Ndërkombëtar (SKN) nga ekuipazhi i përbërë nga kozmonautët rusë Oleg Kotov dhe Sergei Rjazanskij, si dhe nga astronauti amerikan Michael Hopkins. Më 9 nëntor Kotov dhe Rjazanskij do ta nxjerrin pishtarin olimpik në hapësirën ku mungon ajri gjatë daljes në kozmos të hapur. Pas dy ditësh ai do të kthehet në Tokë nga kozmonauti Fjodor Jurçihin, i cili aktualisht ndodhet në SKN.

Pishtari olimpik do të transportohet me automobil, tren, avion, trojkën ruse dhe madje edhe me slitë të tërhequr nga drerë. Zjarri olimpik do të vizitojë Polin e Veriut, ai do të ngjitet deri në Elbrus dhe do të dërgohet me anën e një aparati zhytës në fundin e liqenit më të thellë në botë, Bajkal. Pishtarmbajtësit e "Soçi - 2014" do të jenë mësuesit, mjekët, punonjësit e ekipeve të shpëtimit, ushtarët, studentët dhe pensionistët. Të vraposh 200 metra me pishtarin në dorë nëpër qytetin e lindjes nuk është një problem, por përgjegjësia sidoqoftë nuk është e vogël, thotë njëri prej 14.000 pishtarmbajtësve, Zv. Presidenti i Federatës së Sportit të Aviacionit, Heroi i Rusisë Igor Tarjellkin:

- Kam filluar të përgatitem që tani. Pastaj, ndoshta do të duhet të mësoj se si duhet mbajtur pishtari, cila duhet të jetë shpejtësia e vrapimit dhe kështu me radhë.

Itinerari i Stafetës së pishtarit olimpik kalon nëpër vende historike dhe kulturore, në mesin e tyre - çifligu "Jasnaja Poljana", ku jetoi dhe punoi Lev Tolstoi, Kremlini i Tobolskut në Siberi, kozmodromi i famshëm Plesetsk në qarkun e Arhangelskut, vullkani aktiv Avaçinskij në Kamçatkë. Stafeta më e gjatë në historinë e Lëvizjes Olimpike mbaron më 7 shkurt të vitit 2014. Në këtë ditë flaka olimpike do të ndizet në ceremoninë e hapjes së Olimpiadës XXII Dimërore në Soçi.