Në takimin e ardhshëm deputetët rusë do t’u drejtohen anëtarëve të Kongresit Amerikan me një deklaratë të posaçme.

Ngjarjet në Siri u shndërruan në tematikën kryesore ndërkombëtare në Dumën Shtetërore ruse, e cila fillon sesionin e vjeshtës. Deputetët kanë ndërmend t’u bëjnë thirrje vendeve që po përgatisin skenarin e përdorimit të dhunës në Siri, të shfrytëzojnë rastin për një zgjidhje paqësore të konfliktit. Propozimi i Rusisë për transferimin e armëve kimike siriane nën kontrollin ndërkombëtar minon planet e SHBA-së për zhvillimin e një operacioni ushtarak kundër Sirisë, mendon kreu i Komitetit të Dumës Shtetërore për Çështjet Ndërkombëtare, Aleksei Pushkov:

- Argumenti kryesor në favor të një skenari ushtarak ishte nevoja për të parandaluar një ripërdorim të mundshëm të armëve kimike në Siri. Në rast se këto armë do të kalojnë nën kontrollin e bashkësisë ndërkombëtare, atëherë çdo përdorim i armëve kimike në Siri, përveçse nga ana e militantëve, do të jetë e pamundur. Kjo do të bëjë që të bien akuzat kundër qeverisë së Bashar Al-Assad dhe si rrjedhojë do të eliminohet baza për një sulm ushtarak. Unë kam përshtypjen se në administratën e SHBA-së lidhur me këtë çështje ka një ndarje qëndrimesh. Obama ka të ngjarë që t’i përmbahet versionit të propozuar nga Rusia, por disa njerëz rreth tij janë kundër kësaj. Unë mendoj se pozita amerikane do të bëhet e qartë në ditët e ardhshme.

Plani për një zgjidhje paqësore të konfliktit në Siri është një shans për të stabilizuar situatën në Lindjen e Mesme, mendon kreu i fraksionit të Partisë Komuniste ruse Genadi Zjuganov:

- Përpjekja e amerikanëve për të përmbysur me forcë ushtarake qeverinë e Bashar Al-Assad nënkupton shpërthimin e luftës, e cila në mënyrë të pashmangshme do të përfshinte Libanin dhe do të sillte destabilizim në këtë rajon të madh.

Theksojmë se iniciativa e Moskës për transferimin e armëve kimike siriane nën kontrollin ndërkombëtar po fiton sa vjen e më shumë mbështetje në botë. Në veçanti, gatishmërinë e tyre për të mbështetur Moskën e kanë shprehur Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe Kryeministri britanik David Cameron. Pro kësaj iniciative janë shprehur edhe Japonia, Kina, Polonia dhe Irani.