Ekspertët, megjithatë, pranojnë se e gjithë kjo më tepër sesa me interesat kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka të bëjë me interesat personale të Presidentit Barack Obama dhe administratës së tij. Shprehet Presidenti i Institutit të Lindjes së Mesme, Eugjeni Satanovskij:

- Opozita siriane pa goditjen amerikane nuk mund të bëjë dot asgjë me Bashar Al-Assad. Arabia Saudite, Katari dhe Turqia nuk mund ta rrëzojnë dot Bashar Al-Assad me forcat e veta. Ata kanë nevojë për mbështetjen e amerikanëve dhe evropianëve. Ky operacion është paguar prej kohësh.

Iniciativa ruse në lidhje me transferimin e armëve kimike siriane nën kontrollin ndërkombëtar shpëton edhe reputacionin e vetë Obamës. Shprehet eksperti i Qendrës ruse për studimet lindore, Andrei Vollodin:

- Paraqitja në OKB e provave, në përgjithësi, është në interes të administratës aktuale amerikane. Sipas këndvështrimit tim, Barack Obama është një njeri i arsyeshëm. Këtu ai merr dëshmitë e pafajësisë së Bashar Al-Assad në një paketë së bashku me detyrimet e Sirisë për të transferuar armët kimike nën kontrollin efektiv ndërkombëtar.

Nëse SHBA-ja do të ketë mjaftueshëm mendim të shëndoshë, situata do të zgjidhet pa cenuar interesat e tyre: arma kimike do të vihet nën kontrollin ndërkombëtar, ose ajo do të nxirret nga territori i Sirisë. Në këtë mënyrë Barack Obama do të motivojë mosintervenimin dhe do të ruajë reputacionin në sytë e aleatëve amerikanë.

Në fjalimin e tij drejtuar kombit amerikan Barack Obama përmendi idenë e ekskluzivitetit të rolit të Amerikës në botë, e cila, sipas Presidentit, justifikon ndërhyrjen e saj në vende të tjera, edhe pse ajo "nuk mund të zgjidhë dot të gjitha padrejtësitë". Situata rreth Sirisë shënon fundin e epokës së ekskluzivitetit amerikan. Sa më shpejt që elita politike amerikane ta kuptojë këtë fakt, aq më shpejt bota mund të fillojë të zhvillojë rregulla më të drejta loje në arenën ndërkombëtare.