Rusia i bëri thirrje Sirisë të transferojë nën kontroll ndërkombëtar armët kimike dhe t’i bashkohet Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike. Kjo u njoftua nga Ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë Sergei Lavrov:

- Bombardimi i Sirisë mund të shmanget, nëse Damasku do t’ia dorëzojë të gjitha armët kimike komunitetit ndërkombëtar. Nëse vendosja e kontrollit ndërkombëtar mbi armët kimike në këtë vend do të mundësojë shmangien e sulmit ushtarak, atëherë ne i bëjmë thirrje udhëheqjes siriane jo vetëm të bjerë dakord për caktimin e vendeve të ruajtjes së armëve kimike nën kontrollin ndërkombëtar, por edhe për asgjësimin e mëvonshëm të tyre, si dhe anëtarësimin e plotë në Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike.

Më parë Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry deklaroi se Presidenti sirian Bashar Al-Assad mund ta shmangë bombardimin e Sirisë vetëm duke ia dorëzuar arsenalin e tij të armëve kimike komunitetit ndërkombëtar. Por ai shprehu dyshimin e tij në lidhje me faktin se udhëheqja siriane është e gatshme për një hap të till.

Ndërkohë, Damasku mbështeti iniciativën e Moskës. Sipas deklaratës së Ministrit të Punëve të Jashtme të Sirisë Walid Muallem, Bashar Al-Assad do të bjerë dakord për transferimin e armëve kimike nën kontrollin ndërkombëtar, në mënyrë që të parandalojë bombardimin e Sirisë nga amerikanët:

- Unë deklaroj se Repubika Arabe e Sirisë e mirëpret iniciativën e Rusisë, bazuar në kujdesjen e udhëheqjes siriane për jetën e qytetarëve tanë dhe sigurinë e vendit tonë, si dhe duke u bazuar në besimin tonë në urtësinë e qeverisë ruse, e cila po përpiqet të parandalojë agresionin amerikan kundër popullit tonë.

Pranimi i Sirisë për dorëzimin e armëve kimike hedh poshtë argumentin kyç nga duart e mbështetësve të ndërhyrjes ushtarake në punët e brendshme të vendit. Tani më do të jetë akoma më e vështirë për Presidentin amerikan Barack Obama të bindë Kongresin Amerikan të votojë pro rezolutës mbi Sirinë dhe si pasojë pro mbështetjes së operacionit ushtarak kundër Damaskut.