Negociatat në lidhje me bashkëpunimin në sektorët tregtaro-ekonomik, energjetik dhe atë të investimeve kanë qenë jashtëzakonisht produktive. Në takim janë marrë vendime për mbështetjen e shtetit afrikan në shumë drejtime, shprehet me bindje Sergei Lavrov:

- Vitin e kaluar treguesit e qarkullimit tregtar midis vendeve tona kanë qenë më të rëndësishmit në 12 vitet e fundit. Edhe pse bëhet fjalë vetëm për 250 milionë $, ne kemi një angazhim të përbashkët për rritjen e këtyre vëllimeve, dhe për më tepër në mënyrë të konsiderueshme. Në këtë drejtim, ne ramë dakord që sa më shpejt të jetë e mundur të rifillojmë punën e komisionit ndërqeveritar ruso-libian për bashkëpunimin ekonomik dhe shkencor-teknik. Ne vumë re perspektiva të mira në bashkëpunimin ushtarako-teknik, duke përfshirë këtu furnizimin e armatimeve dhe trajnimin e kuadrove për ushtrinë dhe policinë e Libisë.

Ekspertët theksojnë se sot Libia po përpiqet të përballet me kaosin që pasoi revolucionin, dhe sa më shpejt të jetë e mundur të krijojë funksionimin normal të shtetit. Ministri i Libisë falenderoi Rusinë për ndihmën e saj aktive:

- Unë mendoj se gjithkush e kupton që kalimi nga gjendja e revolucionit në ndërtimin e shtetit në Libi po zhvillohet jo lehtë. Ashtu sikurse dhe komuniteti ndërkombëtar dikur veproi në anën e popullit të Libisë, i cili vendosi të përmbysë regjimin diktatorial, tani komuniteti botëror duhet të vazhdojë t’i ofrojë ndihmë Libisë për ndërtimin e institucioneve shtetërore moderne, si dhe për vendosjen e vlerave demokratike.

Ministrat gjithashtu nuk mund të anashkalonin subjektin e armës kimike në Siri. Mohammed Abdel Aziz deklaroi se si Kryetar i Këshillit të Ministrave të Ligës së Shteteve Arabe ai e dënon përdorimin e armës kimike dhe mendon se për çdo gjë që ndodh nëpër shtete, përgjegjës janë autoritetet aktuale të tyre. Sergei Lavrov vuri në dukje se Rusia dhe Libia "kanë praktikisht mendime identike për zhvillimin e zgjidhjeve të problemeve të Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut".