Këto ishin zgjedhjet me konkurrencën më të lartë gjatë gjithë historisë së Rusisë bashkëkohore - këtë vlerësim dha Zv. Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Leonid Ivlev për zgjedhjet rajonale të 8 shtatorit. Gjithsej në tërë vendin u zhvilluan më shumë se 7000 procese votimi të niveleve të ndryshme. U zgjodhën kryetarët e bashkive, guvernatorët dhe deputetët. Partia "Rusia e Bashkuar", e cila ka shumicën në parlament, korri rezultate të suksesshme në shumë rajone të vendit.

Vëmendje e veçantë për zgjedhjen e kryetarit të bashkisë së Moskës. Këto zgjedhje u mbajtën për herë të parë që nga viti 2003. Për karrigen e kryebashkiakut luftuan 6 kandidatë. Sipas rezultateve të përftuara nga shqyrtimi i gati 99 protokolleve të fletëve të votimit në krye të garës është Sergei Sobjanin, ai ka marrë më shumë se 51% të votave.

Vendin e dytë e mban Aleksei Navalni - më shumë se 27 %. I treti - Ivan Melnikov, kandidati i Partisë Komuniste: rreth 11 për qind të votave. Zgjedhjet në Moskë mund të quhen shembullore, vuri në dukje për "Zërin e Rusisë" profesori i Shkollës së Lartë Ekonomike Leonid Poljakov:

- Zgjedhjet në Moskë, si dhe zgjedhjet për kryetarin e bashkisë së Ekaterinburgut janë standardi i duhur për situatën politike bashkëkohore: si këtu, ashtu edhe atje u shfaq një kandidat radikal opozitar. Zgjedhjet kishin me të vërtetë një konkurrencë të lartë. Çuditërisht pati pak ankesa në krahasim me zgjedhjet e mëparshme. Rezultat shumë i rëndësishëm i këtyre zgjedhjeve ishte rritja e legjitimitetit të autoriteteve ruse dhe sistemit politik në tërësi. Zgjedhësit preferuan stabilitetin dhe profesionalizmin. Sepse nëse ne do të shikojmë kandidatët që luftuan me Sobjanin, asnjëri prej tyre nuk ka përvojë të veçantë në drejtim. Ata mund të jenë njerëz interesantë dhe politikanë në zë. Ka vetëm një gjë - asnjëri prej tyre nuk ka përvojën e drejtimit të një megapolisi. Sergei Sobjanin në dy vjet ishte në gjendje të dëshmonte se është në gjendje të menaxhojë punët më komplekse të jetës së një qyteti.

Theksojmë se në përgjithësi dita e vetme e votimit në Rusi u zhvillua pa incidente. Shkeljet e rënda që mund të ndikojnë në rezultatin e votimit nuk janë regjistruar. Këtë e kanë pranuar tashmë aktivistët e të drejtave të njeriut dhe përfaqësuesit e kandidatëve.