- Unë kam marrë pjesë pothuajse në të gjitha panairet ndërkombëtare të librit: në Frankfurt, Paris, Gjenevë, Pragë, Nju Jork. Në Moskë vij për herë të dytë. Duhet të them se këtu atmosfera është shumë miqësore. Ne përkthejmë në gjuhën shqipe autorët rusë të famshëm në mbarë botën: Pushkin, Lermontov, Tolstoi, Dostojevski, Çehov. Tani jemi duke përgatitur serinë e re të veprave të Dostojevskit dhe "Pavjonin e kancerit" (russ. "Раковый корпус") të Sollzhenicinit. Aktualisht po paraqes këtu disa libra: në veçanti, veprat e Tolstoit dhe Pushkinit në gjuhën shqipe. Në stendën tonë ka edhe vepra të autorëve shqiptarë. Në veçanti, bëhet fjalë për poetin dhe prozatorin e famshëm Ismail Kadare, i cili, meqë ra fjala, ka studiur në Moskë. Ai është nominuar për Çmimin Nobel. Dhe shpresoj që ta fitojë atë. Gjithsesi, unë jam i sigurt se ai e meriton atë. Këtu ne paraqesim vetëm një nga romanët e tij të përkthyer në gjuhën ruse, "Gjenerali i ushtrisë së vdekur" (russ. "Генерал мертвой армии"). Mesazhi i tij ka të bëjë me faktin se sado të fuqishme të jenë ushtritë e vendeve të ndryshme, ato gjithsesi do të përkulen përpara vullnetit të popullit. Ismail Kadare ka shkruar më shumë se 60 romane.

Si po ecën bashkëpunimi juaj me Rusinë?

- Me shumë sukses. Edhe pse në të vërtetë ka disa vështirësi. Një rol të veçantë luan faktori që midis vendeve tona përreth 40 vjet nuk ka pasur asnjë lidhje kulturore. Por në Panairin e Librit të Moskës ne ndihemi si vëllezër. Kjo duket nga sytë e vizitorëve, nga përshtypjet e tyre. Për mua është shumë i vlefshëm fakti që shtëpisë sonë botuese i dhanë të drejtë prezantimi të stendës këtu. Pasi kultura është ura më e shkurtër për afrimin e njerëzve. Unë personalisht e admiroj letërsinë ruse: Pushkinin, Dostojevskin, Shollohovin, Sollzhenicinin. Unë arrita të krijoj këtu kontakte me disa shtëpi botuese ruse. Ne mendojmë të botojmë në gjuhën ruse disa romanë të tjerë të Ismail Kadaresë dhe të autorëve të tjerë shqiptarë, disa libra mbi historinë e Shqipërisë, si dhe një fjalor rusisht-shqip e shqip-rusisht dhe një guidë. Në Rusi, në lidhje me këtë aspekt ekziston një boshllëk serioz: këtu praktikisht nuk e njohin literaturën shqiptare. Kështu që do të fillojmë të punojmë. Dhe shpresoj që së shpejti të shohim rezultatet.