Flet ish-ambasadori rus në Libi dhe Jemen, Veniamin Popov:

- Sot situata në botë ka ndryshuar aq shumë sa që edhe SHBA-ja luhatet, të ndërhyjë ushtarakisht apo jo. 10 vjet më parë Shtetet e Bashkuara së bashku me Britaninë e Madhe pushtuan Irakun në kundërshtim me të gjitha normat e së drejtës ndërkombëtare. Pasojat ishin të tmerrshme. E njëjta gjë ndodhi në Libi. Tani situata është ndryshe. Pro sulmit kundër Sirisë janë vetëm autoritetet e SHBA-së dhe Francës. Të gjithë të tjerët - madje edhe aleatët e NATO-s - abstenojnë. Në botën islame ato mbështeten vetëm nga Arabia Saudite, Katari dhe Turqia. Të gjitha vendet e tjera nuk i mbështesin.

SHBA-ja duhet të veprojë me kujdes në lidhje me Sirinë, për të mos dëmtuar marrëdhëniet e saj me Moskën. Ky qëndrim u shpreh në Komitetin e Punëve të Jashtme të Senatit Amerikan nga Sekretari i Shtetit i SHBA-së, John Kerry. Sekretari amerikan i Shtetit shpreson se Rusia do të ndryshojë qëndrimin e saj gjatë forumit në Shën Petersburg. Ai la të kuptohej se Obama mund t’i paraqesë homologut të tij rus Vladimir Putin prova të përdorimit të armëve kimike nga ana e forcave qeveritare në Siri.

Nuk përjashtohet fakti se këto prova mund ta bindin Putinin. Sipas fjalëve të Presidentit rus Moska do të bindet nga një hetim i imtësishëm i çështjes dhe prania e provave që dëshmojnë në mënyrë të qartë se kush ka përdorur armë kimike dhe çfarë mjetesh janë përdorur. Pas kësaj ne do të jemi të gatshëm, për të vepruar në mënyrën më të vendosur dhe serioze, deklaroi Presidenti rus.

Është e rëndësishme të kuptohet se Rusia nuk mbron Bashar Al-Assad-in në Siri, por normat dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare, rendin e tanishëm në botë, i cili të detyron që të gjitha pyetjet në lidhje me përdorimin e forcës të zgjidhen vetëm në kuadrin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ndërkohë, besohet se Obama nga ana e tij tashmë ka vendosur për gjithçka dhe nuk ka ndërmend të marrë në konsideratë argumente të tilla.

Pas ndërhyrjes amerikane në botë do të ketë një vend të skamur më shumë. Përse kjo u shërben pikë së pari vetë amerikanëve - kjo është një pyetje që Obamës ka shumë gjasa t’i drejtohet gjatë samitit të "Njëzetëshe së Madhe" që pritet të nisë në Shën Petersburg.