Faktet e paraqitura nga mbështetësit e sulmit ushtarak kundër Sirisë Ministria ruse e Punëve të Jashtme i ka quajtur "të pavërteta". Në gjuhën e diplomacisë kjo zakonisht nënkupton "gënjeshtër". Pikërisht kështu, sipas ekspertëve, po përgatitet terreni për një operacion ushtarak kundër Damaskut zyrtar.

Ndërkohë, injorohen plotësisht konkluzionet e ekspertëve rusë, të cilët analizuan mostrat e marra në periferi të qytetit të Aleppo-s. Sipas njoftimeve, më 19 mars të këtij viti atje janë përdorur lëndë toksike. Kjo tragjedi mori jetët e 26 personave, duke përfshirë edhe ushtarë sirianë.

Ekspertët rusë zbuluan se gazi Sarin që u përdor nuk ishte prodhuar në rrugë industriale. Municionet gjithashtu ishin përgatitur në mënyrë artizanale. Ato në të gjitha aspektet përngjasojnë me predhat e pakomanduara, të cilat prodhohen në veri të Sirisë nga rebelët e të ashtuquajturës brigada "Bashair Al-Nasr". Për më tepër, gjatë prodhimit të tyre është përdorur heksogjen. Kjo substancë nuk përdoret në municionet kimike të ushtrisë.

Duke insistuar për zhvillimin e një operacioni ushtarak, ushtarakët dhe politikanët amerikanë nganjëherë bëjnë deklarata që shtrembërojnë krejtësisht realitetin. Pentagonit, për shembull, iu desh të përgënjeshtronte fjalët e kreut të vet Chuck Hagel. Ministri amerikan i Mbrojtjes, gjatë një fjalimi dy ditë më parë në Kongres, tha se në Siri ekziston një sasi e madhe e armëve kimike, e cila dyshohet se e ka prejardhjen nga Rusia. Të enjten Sekretari për shtyp i Pentagonit George Little deklaroi se Hagel është keqkuptuar. Rezulton se ai "donte të thoshte jo armë kimike, por pajisje të zakonshme ushtarake".

Ndërkohë, Komiteti i Senatit Amerikan për Marrëdhëniet me Jashtë me 10 vota kundër 7 miratoi rezolutën që autorizon sulmin ushtarak kundër Sirisë. Shtëpia e Bardhë priste të merrte një avantazh më të ndjeshëm votash pro.