Lëshimi i dy raketave-objektiv balistike" nga pjesa qendrore e Mesdhet u regjistrua nga sistemi rus i paralajmërimit të sulmeve me raketa. "Raketat-objektiv" ndoqën kursin drejt Lindjes, në drejtim të Sirisë, njoftuan agjencitë ruse të lajmeve. Bota shtangu në pritje të shpërthimeve. Por asgjë nuk ndodhi. Kjo ndodhi të martën në mëngjes (3 shtator). Dhe vetëm në gjysmën e dytë të ditës Izraeli deklaroi se zhvilloi së bashku me SHBA-në testimin e sistemit të vet të ri të mbrojtjes antiraket "Arrow -3" . Një avion mbi Detin Mesdhe lëshoi një raketë-objektiv supersonike "Sparrow". Pentagoni shtoi se kjo nuk ka të bëjë me operacionin e përfolur ushtarak në Siri.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve se pse u zgjodh një moment kaq i papërshtatshëm për manovrat, kur situata rreth Sirisë është tej mase e tensionuar, Ministri izraelit i Mbrojtjes Moshe Yalon tha se vendi "duhet të kryejë testet e nevojshme në terren". Ai u pasua nga konstruktori i "Arrow -3" Uzi Rubin: "testi ishte planifikuar kohë më parë, ai thesht përkoi me nervozizmin në rritje në lidhje me Sirinë".

Ky përkim mund të quhet i rastësishëm vetëm me rezerva të mëdha, shprehet i bindur eksperti rus Boris Dollgov:

- Lëshimi i raketave-objektiv natyrisht që ka të bëjë me operacionin e supozuar ushtarak të SHBA-së kundër Sirisë. Dhe Izraeli së bashku me Shtetet e Bashkuara kontrolloi sistemin e tij të mbrojtjes antiraket. Pasojat e këtij operacioni ushtarak mund t’i vuajë edhe Izraeli. Mund të ketë sulme në drejtim të tij.

Lëshimi i raketave-objektiv mund të ketë qenë i lidhur me dëshirën për të verifikuar reagimin e Rusisë. Drejtori i Qendrës së Studimeve Social-Politike Vladimir Jevsejev komenton:

- Unë mendoj se ky nuk ishte qëllimi primar. Megjithatë, në mënyrë indirekte amerikanët verifikuan radarin tonë bashkëkohor të tipit "Voronezh" pranë Armavirit, radar i cili është pjesë e sistemit të paralajmërimit të sulmeve me raketa. Shtetet e Bashkuara u bindën se sesistemi funksionon në mënyrë efektive. Unë mendoj se ky do të jetë një argument i mjaftueshëm në mënyrë që ata të mbajnë një qëndrim më të balancuar për sa i përket shtrirjes të sistemit global të mbrojtjes antiraket.