Më 3 shtator para senatorëve do të flasë Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry, Kreu i Pentagonit, Chuck Hagel, dhe Kryetari i Komitetit të Bashkuar të Shefave të Shtabeve, Martin Dempsey. Në kërkesën e drejtuar senatorëve për miratimin e operacionit ushtarak thuhet se qëllimi i saj është privimi i regjimit sirian nga mundësia e përdorimit të armës së shkatërrimit në masë. Megjithatë, jo të gjithë senatorët janë dakord me faktin se kjo detyrë është në përputhje me interesat kombëtare të SHBA-së. Për shembull, republikani Alan Grayson deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës - nuk janë "efektivët botërorë të policisë" dhe nuk mund t’i lejojnë vetes "aventura ushtarake, të cilat do ta tërheqin vendin në luftë për një dhjetëvjeçar ose më shumë". Ndërsa senatori Rand Paul vuri në dukje se Amerika duhet të bashkëpunonte më ngushtë me Rusinë dhe Kinën lidhur me çështjen e zgjidhjes së krizës siriane, dhe jo të vinte ultimatume, duke e vënë veten në situata të pafavorshme. Në lidhje me situatën në fjalë komenton analisti politik Fjodor Vojtollovskij:

- Senatorët dhe kongresmenët orientohen në faktin që të mos zhgënjejnë zgjedhësit e tyre. Dhe në shoqërinë amerikane numri i kundërshtarëve të operacioneve ushtarake e tejkalon numrin e mbështetësve të tyre. Sipas sondazheve të ndryshme, 60 % deri në 70% e qytetarëve amerikanë e kundërshtojnë sulmin në Siri. Prandaj, parlamentarët amerikanë nuk janë të interesuar të marrin një reagim negativ nga zgjedhësit e vet.

Ndër mbështetësit e goditjes mbi Siri renditet republikani, John McCain. John McCain propozon shkatërrimin e infrastrukturës ushtarake të forcave qeveritare siriane. Nëse Kongresi refuzon rezolutën e propozuar nga Shtëpia e Bardhë, kjo do të jetë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas Senatorit, një fatkeqësi e vërtetë.

Ndërkohë, një nga pjesëmarrësit në seancat dëgjimore të Kongresit, Kreu i Komitetit të Bashkuar të Shefave të Shtabeve, Martin Dempsey, më herët la të kuptohet se ai e konsideron fushatën siriane një luks të palejueshëm. Nga njëra anë, ajo përbën në vetvete një barrë suplementare për buxhetin e SHBA-së, ndërsa nga ana tjetër - pasojat e këtij veprimi është e vështirë të parashikohen.