Presidenti Barack Obama, siç dihet tashmë, i shtyu sulmet e njëanshme të SHBA-së kundër Sirisë deri në zhvillimin e konsultimeve me anëtarët e parlamentit. Ata do të kthehen nga pushimet më 9 shtator. Ligjvënësit rusë janë të gatshëm për ta përdorur këtë mundësi, të fundit ndoshta, për një zgjidhje politike të krizës siriane që përfshin dy lojtarët e jashtëm kyç - Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara.

Disa ditë më parë Presidenti Putin i dënoi përpjekjet e Uashingtonit për të përdorur fakte të paprovuara në lidhje me përdorimin e armëve kimike nga ana e forcave qeveritare siriane me qëllim realizimin e ndërhyrjes ushtarake në Siri. Ndoshta kontaktet midis parlamentarëve rusë dhe atyre amerikanë do të mund t’i jepnin procesit një drejtim paqësor dhe konstruktiv. Spikerja e Këshillit të Federatës Valentina Matvienko shpreson të organizojë në mënyrë operative një vizitë të ligjvënësve rusë në SHBA dhe të ftojë në Moskë kongresmenë dhe senatorë amerikanë për rivendosjen e dialogut, i cili tani për tani është shumë i vështirë. Vladimir Putin tha se iniciativa është "shumë bashkëkohore dhe e drejtë".

Sipas fjalëve të Valentina Matvienko sondazhet në SHBA tregojnë se shumica dërrmuese e popullsisë nuk e mbështesin bombardimin e Sirisë. Ajo shpreson që Kongresi i SHBA-së të mos e mbështesë propozimin për një zgjidhje ushtarake të konfliktit.

Spikeri i Dumë Shtetërore ruse Sergei Narishkin përmendi se javën e kaluar parlamentarët rusë nëpërmjet shtypit iu drejtuan kolegëve të tyre në shtete të tjera me propozimin për ta analizuar sërish me kujdes situatën e krijuar përreth Sirisë. Kryesorja është të mos merren vendime të nxituara, mendon Narishkin.

- Parlamentet e disa vendeve europiane mbajnë një qëndrim shumë të ekuilibruar dhe të shëndoshë. Unë mendoj se kjo punë me ligjvënësit amerikanë nuk do të ishte e padobishme.

Koha e mbetur në dispozicion për të përgatitur takimin e parlamentarëve rusë dhe atyre amerikanë para se në Shtetet e Bashkuara të shqyrtohet nisma e Barack Obamës, është shumë e shkurtër. Megjithatë, Moska shpreson në interesimin e përfaqësuesve të Senatit dhe Kongresit Amerikan, dhe në një reagim të shpejtë ndaj propozimit rus.