Duke qenë në timon të "Njëzetëshes" Rusia ka përvijuar menjëherë prioritetet e veta: të tërheqë vëmendjen e pjesëmarrësve të saj ndaj problemeve ekonomike dhe problemeve të zhvillimit të post-krizës. Ja se çfarë thotë Drejtori i Këshillit ekspert për "G-20" Sergei Drobishevskij:

- Rusia nuk e pa të arsyeshme të zgjerojë axhendën e "Njëzetëshes" dhe e ktheu atë përsëri në destinacionin fillestar, në qëllimin primar të klubit të vendeve që zgjidhin çështjet ekonomike në nivel global. Rezultati kryesor i presidencës së Rusisë në "Njëzetëshe" - këto janë vendimet e lidhura kryesisht me stabilizimin e financave publike në të gjitha vendet, si të zhvilluara ashtu dhe në zhvillim, vendimet që kanë të bëjnë me stimulimin afatgjatë të investimeve, si dhe çështjet që lidhen me arkitekturën e re të sistemit financiar.

Këto prioritete, po ashtu si dhe problemin e krijimit të vendeve të reja cilësore të punës, Moska i deklaroi në vjeshtë të vitit 2012. Tani ato do të jenë tema kyçe të diskutimit në Samitin e pritshëm të "G-20".

Sukses i presidencës ruse u bë tërheqja në diskutim e përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe biznesit, mendon analistja politike ruse Marina Llarionova:

- Përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe biznesit janë përfshirë në zhvillimin e rekomandimeve dhe në dialogun me Grupin e Sherpas të "Njëzetëshes" si dhe grupet e tjera punuese në të gjitha fushat kryesore: që nga çështjet e luftimit të korrupsionit dhe krijimi i vendeve të punës e deri tek rendi i ditës në sferën e zhvillimit. Kjo bëri tashmë të mundur paraqitjen që në muajin qershor të rekomandimeve konkrete.

Përveç kësaj, takimi i parë i përbashkët i Ministrave të Financave dhe Ministrave të Punës dhe Punësimit të "Grupit të të Njëzetëve", që u mbajt këtë verë në Moskë, kontribuoi për koordinimin e politikave makroekonomike dhe të rregullimit financiar në interes të qytetarëve dhe të shoqërisë.

Tani detyra kryesore e Rusisë është zhvillimi i suksesshëm i samitit të "G-20". Sepse, në fakt, sipas fjalëve të ekspertëve, dialogu i udhëheqësve të vendeve të "G-20" është një format shumë i veçantë. Sado mirë që të jenë përgatitur dokumentet në të gjitha nivelet, miratimi i tyre varet nga ajo, se për çfarë do të bien dakort udhëheqësit e shteteve në Samit. Nëse vendimet e bashkërenditura më parë do të marrin, në bazë të përfundimeve të Samitit, formën e dokumenteve të miratuara, atëhere kjo do të jetë arritja më e madhe e presidencës së Rusisë në "G-20".