Dhe ky nuk është aspak shembulli i vetëm i pafuqisë së Tripolit zyrtar. Në fakt, rajonet e Libisë vazhdojnë të bëjnë jetën e vet krejtësisht të pavarur dhe nuk i binden fare pushtetit qendror.

Aktualisht në Libi mungon një pushtet unik real, mendon bashkëkryetari i Komitetit rus për solidaritet me popujt e Libisë dhe Sirisë, Oleg Fomin:

- Libia sot është e ndarë në rajone të veçanta që nuk i nënshtrohen autoriteteve qendrore. Madje edhe në nivel më të ulët po ndodh copëzimi (fragmentimi). Vendi faktikisht drejtohet nga grupet e armatosura. Ato diktojnë ligjet e veta në zonat ku janë të dislokuara dhe vendosin atje rregullat e veta. Pushteti është përqendruar në duart e këtyre grupeve të armatosura, të cilat ndodhen në përplasje të vazhdueshme mes tyre.

Një nga rajonet më problematikë është provinca verilindore e vendit - Kyrenaika (Cyrenaica). Atje nxirret rreth 80% e naftës së Libisë. Por të ardhurat e fituara nga shitja e saj nuk derdhen në buxhetin federal, pasi pjesa më e madhe e naftës vidhet nga formacionet e armatosura të fiseve lokale dhe grupet islamiste. Analistët parashikojnë se në të ardhmen situata do të vijë vetëm duke u përkeqësuar. Ja komenti i ekspertit rus për problemet e rajonit, Veniamin Popov:

- Autoritetet qendrore po dobësohen. Kjo ka të bëjë veçanërisht me marrëdhëniet mes provincave Tripolitania dhe Cyrenaica. Në vitin 1950, kur Libia fitoi pavarësinë, ky shtet u formua nga tre rajone: Cyrenaica, Tripolitania dhe Fezzan. Fezzan është një zonë e madhe, por krejtësisht e shkretë në jug të vendit. Kurse Tripolitania, ku është vendosur kryeqyteti - Tripoli, dhe Cyrenaica me qendrën e saj Bengazi, gjithmonë kanë konkurruar me njëra-tjetrën.

Muammar Gaddafi u lind në Sirte - qytet ky në Tripolitania. Banorët e Cyrenaica, gjatë kohës së drejtimit të tij, mendonin se ai favorizonte më tepër bashkëfisësit e vet dhe për këtë arsye ndjeheshin të privuar. Prandaj nuk të çudit aspak fakti se pikërisht në Bengazi filluan demonstratat e para kundër Gaddafi. Megjithatë, pas përmbysjes së tij, u bë mëse e qartë se figura e Muammar Gaddafi ishte ai element që e mbante të lidhur Libinë si një shtet të unifikuar. Pas zhdukjes së kësaj mbajtëseje sistemi filloi të shpërbëhet, tha Veniamin Popov:

- Vendi filloi të dezintegrohet mu përpara syve të të gjithëve. Dhe njoftimi se Zintan nuk dëshiron të dorëzojë Seif al-Islam Gaddafi është mjaft karakteristik. Tri herë fiset e Cyrenaica kanë deklaruar tashmë se ato dëshirojnë shumë që rajoni i tyre të bëhet gjysmë-autonom ose plotësisht autonom. Rajoni duhet të jetojë sipas ligjeve të veta dhe ai duhet të varet më pak nga Tripoli, thonë ata.