A është e vërtetë se atje zhduken pa lënë gjurmë njerëzit? "Zëri i Rusisë" së bashku me Timur Ivancov, themeluesin e "Klubit të udhëtarëve guximtarë", vendosi të zbulojë, të mësojë se çfarë ndodh në të vërtetë në Shpellat Sablinskie.

Shpellat Sablinskie janë të vendosura në rajonin e Leningradit në afërsi të fshatit Uljanovka. Ato përfaqësojnë në vetvete labirinthe të shumta nëntokësore, që shtrihen dhjetra kilometra, me galeri mjaft mbresëlënëse dhe liqene të pacënuar me ujë të kulluar. Sipas rezultateve të kërkimeve shkencore, sistemi i degëzuar i shpellave është formuar si rezultat i punimeve në shkallë të gjerë për përftimin e rërës së kuarcit, të cilat janë zhvilluar në këtë zonë që nga fundi i shekullit XVII e deri në fillim të shekullit XX. Në vitin 1922 prodhimi i rërës së kuarcit i pezullua dhe shpellat u braktisën dhe u lanë fare mbas dore. Gjatë tridhjetë viteve pasuese ujërat nëntokësore ndikuan në mënyrë kardinale në strukturën e tokës ranore. Në disa zona të shpellave u formuan "rërat thithëse", që rezultuan të jenë me rrezik vdekjeprurës për jetën. Në atë kohë ato kanë marrë jetët e shumë njerëzve që tentuan të depërtojnë atje të shtyrë nga kurioziteti. Timur Ivancov tregon përse shpellat kanë marrë një nam të tillë kaq të keq:

- Në mesin e shekullit të kaluar Shpellat Sablinskie kanë qenë vendstrehim për të burgosurit e arratisur dhe për plot njerëz të tjerë të padëshirueshëm për autoritetet dhe shoqërinë. Tani, kur janë deklasifikuar shumë dokumente, është bërë e ditur se çdo vit në rajonin e shpellave zhdukeshin gati 20 njerëz. Natyrisht, të gjithë fajin për këtë ia ngarkonin "banorëve" të nëntokës. Periodikisht ndërmerreshin operacione për kapjen e tyre. Por kapja e ndokujt në këto katakombe ishte mision i parealizueshëm.

Tani është e pamundur të pohohet me bindje se arsyeja e vërtetë për zhdukjen e njerëzve ishin pikërisht të burgosurit e arratisur që fshiheshin në shpella. Ata pak njerëz që guxuan të shkojnë atje, shumica adoleshentë nga fshatrat përreth, me shumë gjasa, shkelën në "rërat thithëse" (si kënetë). Por ka edhe versione të tjera, thotë Timur Ivancov:

- Gjyshi i mikut tim ishte një prej disidentëve, të cilët fshiheshin në kohën e vet nga autoritetet në këto shpella. Ai tregonte se midis tyre atëhere qarkullonte legjenda se shpellat ishin qenie e gjallë, e aftë për të menduar, e cila strehonte të pafajshmit dhe ndëshkonte ata që shkelnin atje me qëllime të këqija.

Por kur filluan të zhduken dhe vetë disidentët, nisën të qarkullojnë thashethemet se në Shpellat Sablinskie u vendos me banim e Keqja. Njerëzit filluan të ndjenin se si në labirinthet e galerive nëntokësore nisi të dendësohet dhe të bëhet më e thellë errësira dhe se pas saj dikush i survejonte vazhdimisht ata. Mbas zhdukjes së shtatë personave "vendalinj", shumica e të arratisurve i braktisën shpellat. Ne i kemi vizituar shpellat si diggers. Dhe mund të deklaroj me përgjegjësi të plotë se kalimi i natës atje është tejet i pakëndshëm.