Britania e Madhe nuk do të marrë pjesë në operacionin ushtarak kundër Sirisë. Të enjten në mbrëmje Parlamenti britanik refuzoi propozimin e Qeverisë për të reaguar në mënyrë të rreptë, të vendosur ndaj "krizës humanitare" në Siri, gjë kjo që nga ana e vet mund të kërkonte dhënien e goditjes ushtarake. Vendimi i deputetëve kishte karakter rekomandues, por injorimi i tij do të ishte një hap i gabuar, deklaroi Kryeministri David Cameron:

- Dhoma e Komunave e hodhi poshtë iniciativën tonë. Deputetët e Parlamentit, të cilët shprehin mendimin e qytetarëve të vendit, dolën kundër pjesëmarrjes së Mbretërisë së Bashkuar në operacionin ushtarak. Dhe Qeveria do të veprojë në përputhje me këtë vendim.

Natën në të gdhirë të së premtes tashmë 12 vende të NATO-s, duke përfshirë Italinë, Greqinë, Kanadanë, deklaruan se heqin dorë nga çdo formë e veprimeve ushtarake kundër Sirisë pa autorizimin e OKB-së. Arritja e një rezolutë të Këshillit të Sigurimit, pa paraqitur asnjë dëshmi të faktike, me peshë që autoritetet siriane kanë dhënë urdhër për të përdorur armë kimike, është jo reale. Deri më sot në dispozicion të Këshillit të Sigurimit është vënë i vetmi raport zyrtar - nga ekspertë rusë, të cilët kanë hetuar faktin e përdorimit të armës kimike në mars të këtij viti në periferitë e qytetit të Aleppo. Atëhere u paraqitën prova të shumta të pakundërshtueshme se ajo mënxyrë ishte vepër e duarve të opozitës.

Tani ekspertët e OKB-së po hetojnë rastin e përdorimit të armës kimike më 21 gusht në afërsi të Damaskut. Të shtunën ata duhet t’i paraqesin rezultatet e punës së tyre Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki -moon, ndërsa ai do ta sjellë raportin e tyre në vëmendjen e përfaqësuesve të Këshillit të Sigurimit. Deri atëherë madje dhe vetë diskutimi i planit të dhënies së goditjes ushtarake mbi Sirinë është i paligjshëm, janë të bindur në Moskë. Të këtij mendimi janë edhe shumë anëtarë të tjerë të komunitetit ndërkombëtar. Por jo Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas të dhënave të gazetës "The New York Times", Uashingtoni mund të japë urdhër për fillimin e sulmit edhe pa miratimin e aksionit ushtarak nga ana e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ka shumë gjasa që kjo të ndodhë të shtunën, pasi inspektorët e OKB-së të lënë territorin e Sirisë.

Tani SHBA-ja po grumbullon rreth vetes mbështetësit e ndërhyrjes ushtarake të jashtme në punët e brendshme të Sirisë. Dhe në qoftë se të tillë në mesin e evropianëve tashmë nuk kanë mbetur pothuajse fare, shtetet e Lindjes së Mesme, duhet thënë, nuk janë aspak kundër dhënies së goditjes mbi fqinjin e vet. Në veçanti, të enjten Ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu, deklaroi se në koalicionin anti-sirian mund të hyjnë 25 vende. Në fakt, kjo shifër është e bazuar në përfundimet e negociatave sekrete. Por, kur të vijë puna deri tek ndërmarrja e hapit vendimtar për përfshirje në intervencionin ushtarak, jo të gjithë do të marrin guximin për të vepruar në shkelje të ligjit ndërkombëtar.