Uashingtoni, me mbështetjen e Londrës dhe Parisit, po vazhdon të ndërtojë koalicionin e përkrahësve të ndërhyrjes së armatosur në Siri. Në ndjekje të verbër të qëllimit të vet Shtetet e Bashkuara, aleatët e tyre perëndimorë dhe dhe lindorë janë të gatshëm, nëse do të jetë e nevojshme, për të anashkaluar Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Sipas fjalëve të Kreut të diplomacisë turke, Ahmet Davutoglu, në momentet aktuale po diskutohen variantet alternative. Me sa duket, turku kishte parasysh takimin në Aman. Atje, që nga mbrëmja e së dielës, përfaqësuesit e Arabisë Saudite, Katarit, Turqisë, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë, Italisë, Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë po përpiqen të perceptojnë se si duhet vepruar më tej.

Duhet të theksohet, në fakt, se interesat e pjesëmarrësve të koalicionit anti-Assadian janë mjaft të larmishme (edhe pse në vështrim të parë koalicioni duket i unifikuar). Për shembull, Presidenti amerikan Barack Obama duket qartë se e ka humbur fare torruan dhe nuk di se çfarë të bëjë më tej.

Pas historisë me Libinë amerikanët e kanë mëse të qartë se pa një operacion tokësor, për finalizimin e sulmit të iniciuar, ata nuk do t’ia dalin dot punës mbanë. Por Bashar Al-Assad është një arrë shumë më e fortë se sa kolonel Muammar Gaddafi. Duke e perceptuar fort mirë këtë gjë, Barack Obama do ta zvarrisë momentin e fillimit të intervencionit për aq kohë, sa mosveprimi i tij të bëhet evidentisht sfidues për Francën dhe Britaninë e Madhe, të cilat po demonstrojnë një pozicion shumë më këmbëngulës dhe të papajtueshëm sesa Shtëpia e Bardhë. Komenti i ekspertit rus Veniamin Popov:

- Perëndimi i frikësohet ringjalljes së botës islame. Sepse si shumë burime janë të përqendruara në Lindjen e Afërme dhe në Lindjen e Mesme. Jo vetëm rezerva nafte dhe gazi, por edhe mundësi jashtëzakonisht të mëdha financiare. Amerikanëve nuk u duhen aspak një konkurrent që në të ardhmen mund t’i krijojë shumë probleme dhe t’i hapë telashe të mëdha.

Pozita anti-Assadiane e Turqisë mund të shpjegohet mjaft thjeshtë, mendon orientalisti rus Vladimir Isajev:

- Turqinë e frikësoi fakti që Damasku i dha një autonomi shumë më të gjerë kurdëve.

Pozicioni i Iranit është fare i qartë: Teherani e vlerëson agresionin e jashtëm kundër Bashar Al-Assadit si një sfidë personale, thotë Vladimir Isajev:

- Irani është një nga shtetet e pakta me mbizotërim të Shiizmit. Ai përpiqet t’i mbështesë shiitët atje ku është e mundur. Përveç të tjerash, ai mbështet Partinë "Hezbollah" (Partia e Zotit), e cila vepron në Liban. Kurse kjo ndodh nëpërmjet territorit të Sirisë.

Kundër ndryshimit të dhunshëm të regjimit në Siri dalin Irani, të gjitha vendet e BRICS - Rusia, Kina, India, Brazili, Afrika e Jugut - si dhe një sërë shtetesh të Amerikës Latine. Siç deklaroi Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov: "Nëse dikush mendon se pas bombardimit të infrastrukturës ushtarake siriane dhe lënies së fushës së betejës, me qëllim që kundërshtarët e regjimit të korrin fitoren, gjithçka do të përfundojë, kjo nuk është gjë tjetër veçse një iluzion. Edhe në qoftë se një fitore e tillë do të arrihet, lufta civile atje do të vazhdojë. Vetëm se ata, të cilët përfaqësonin palën e qeverisë, do të kthehen në opozitë".