Britania e Madhe i propozon Këshillit të Sigurimit të miratojë rezolutën, e cila autorizon përdorimin - po e citojmë atë - "e masave të nevojshme për të mbrojtur popullsinë civile" në Siri. Ndërsa në të vërtetë, pas këtij formulimi fshihen planet e ndërmarrjes së sulmeve me raketa, shprehet me bindje të plotë eksperti rus Sergei Serjogiçev:

- Perëndimi do të synojë të përmbahet nga intervencioni tokësor, por do të veprojë si në vitin 1999 në Jugosllavi, duke shkatërruar infrastrukturën ushtarake, socio-ekonomike, duke përfituar prej supermacisë së vet në armatimet raketore.

Britanikët preferojnë ta justifikojnë pikësynimin e tyre për të bombarduar Sirinë me parimet e "ndërhyrjes humanitare". Nga pikëpamja e Sekretarit të Jashtëm britanik William Hague, veprimet e mundshme ushtarake do të synojnë parandalimin e përdorimit të mëtejshëm të armëve kimike siriane. Mbi aplikimin e gazit neuro-paralitik Sarin nga ushtria e Bashar Al-Assadit deklaroi në prag Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen:

- Informacioni, i vënë në dispozicion nga një spektër shumë i gjerë burimesh, ekspozon pikërisht regjimin sirian si përgjegjës për përdorimin e armëve kimike.

Por se çfarë informacioni është ky, deri tani nuk dihet. Gjatë javës së fundit Perëndimi, i udhëhequr nga Uashingtoni, premton t’i paraqesë botës dëshmi të pakundërshtueshme faktike që provojnë fajësinë e Bashar Al-Assadit. Megjithatë, më tej se konfirmimet e paargumentuara verbale puna nuk shkon. Sipas të dhënave të gazetës "The New York Times", arsyeja e gjithë kësaj loje fjalësh është se qeveria amerikane as që disponon kurrfarë provash të tilla.

Obama tani për tani nuk ngutet me marrjen e vendimit për Sirinë. Madje më tepër se kaq, ligjvënësit amerikanë të mërkurën i kërkuan Presidentit që t’u shpjegojë atyre në mënyrë të detajuar dhe të motivuar domosdoshmërinë e tërheqjes së SHBA-së në një tjetër konflikt ushtarak tani. Letra adresuar Obamës është nënshkruar nga 116 anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve. Pas kësaj, me sa duket nga të gjitha, Shtëpia e Bardhë do të jetë e detyruar të presë përfundimin e ekspertëve të OKB-së që po punojnë tani në Siri.

Ndërkohë, rreth e përqark Sirisë po mblidhen forcave ushtarake të Perëndimit. Në Mesdheun Lindor tashmë ndodhet grupimi i Forcave Ushtarake Detare të SHBA-së i përbërë prej katër shkatërruesish (destroyers), të armatosur me raketa "Tomahok" ("Tomahawk"), si dhe një anije dhe një nëndetëse e Britanisë së Madhe. Në Detin Adriatik është pozicionuar një anije helikoptermbajtëse dhe dy fregata britanike. Në Detin e Kuq dhe në Gjirit Persik ndodhen grupimet e aeroplanmbajtëseve amerikane. Tani Franca ka dërguar drejt brigjeve të Sirisë fregatën e saj më të re të mbrojtjes kundërajrore.

Damasku, nga ana e vet, deklaron se do ta mbrojë veten me të gjitha mjetet në dispozicion.