Këto ditët e fundit Shtetet e Bashkuara nisën drejt Sirisë shkatërruesin (destroyer) "Mahan". Kjo është anija e katërt e Forcave Ushtarake Detare të SHBA-së të vendosura në Detin Mesdhe. Siç sqaroi Shefi i Pentagonit Chuck Hagel, ushtria e SHBA-së është e gatshme për të sulmuar Sirinë, nëse Barack Obama do të japë urdhërin përkatës. Ndërkohë, ekspertët vënë në dukje se ky operacion do të bëhet një barrë e ndjeshme për buxhetin amerikan. Fjalë do të bëhet, si minimum, për qindra miliona dollarë, thotë Drejtori i projekteve informative të Qendrës ruse të Hulumtimeve Politike, Andrei Baklickij:

- Në fakt është mjaft e vështirë të thuhet tani se sa do të kushtojë kjo fushatë ushtarake. Gjatë kohës së operacionit të ngjashëm në Libi janë shpenzuar rreth një milionë dollarë në ditë vetëm për dhënien e goditjeve me raketa.

Në vetë Pentagon gjithashtu nuk ushqejnë kurrfarë iluzionesh në lidhje me shpenzimet e mundshme. Që në korrik gjenerali Martin Dempsey parashtroi pesë skenarë të projektuar për dhënien e ndihmës rebelëve sirianë. Skenari më pak i kushtueshëm ndër të gjithë ata - trajnimi i luftëtarëve të opozitës dhe mbështetja e tyre me të dhëna nga ana e shërbimit të inteligjencës - do të kërkojë rreth 500 milionë $ në vit. Skenarët, të cilët parashikojnë përfshirjen në shkallë të plotë të ushtrisë amerikane në konfliktin sirian, do të kushtojnë jo më pak se 1 miliardë dollarë në muaj.

Nga deklarata e fundit e Sekretarit Amerikan të Shtetit John Kerry rezulton se Uashingtoni shpreson të kursejë mjetet financiare dhe të kufizohet vetëm me goditjet raketore mbi Sirinë. Por nuk ka gjasa që ky aksion të ndihmojë për të përmbysur regjimin e Bashar Al-Assadit.

Por edhe në qoftë se SHBA-ja dhe aleatët e saj perëndimorë do të ndërmarrin ndonjë operacion ushtarak në shkallë të plotë në Siri, ato nuk do të arrijnë ta ndalojnë dot megjithatë konfliktin në këtë vend. Përkundrazi, ekspertët besojnë se niveli i dhunës do të rritet. Në të njëjtën kohë, vë në dukje Andrei Baklickij, duke destabilizuar situatën Shtetet e Bashkuara nuk e kanë aspak të qartë se cili është qëllimi i tyre përfundimtar:

- Të gjitha deklaratat e fundit të John Kerry do të thonë se, në parim, lypset të bëhet diçka, të reagohet në ndonjëfarë mënyre meqenëse është përdorur arma kimike. Por se çfarë të bëhet konkretisht - është e paqartë. Në rastin e dhënies së goditjeve raketore, fjalë mund të bëhet për ndëshkimin e regjimit të Asadit, por jo për përmbysjen e tij dhe madje as për bërjen e ndryshimeve të rëndësishme në ecurinë e veprimeve luftarake. Domethënë, në qoftë se Shtetet e Bashkuara do të vendosin megjithatë për të ndërmarrë aksionin me përdorimin e forcës kundër regjimit të Assadit, ai do të jetë kryesisht me rëndësi politike dhe jo ushtarake.

Ndërkohë, zërat në qarkullim mbi operacionin e mundshëm ushtarak kundër Sirisë kanë turbulluar tashmë tregun financiar. Kështu, indekset e aksioneve amerikane ranë pas deklaratave të bëra nga John Kerry rreth mundësisë së aplikimit të skenarit ushtarak në Siri. Kundruall sfondit të këtyre bisedave u rritën dhe çmimet e naftës.