Në një bisedë telefonike me homologun e tij amerikan John Kerry, Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov u interesua të mësojë prej tij se cila është strategjia e SHBA-së: "Si keni ndërmend ta planifikoni aksionin tuaj ushtarak kundër Sirisë në mënyrë të tillë që ai të ndihmojë për të zgjidhur problemet e rajonit dhe jo t'i shumojë ato e të mos e çojë rajonin drejt një katastrofe të vërtetë?". Në përgjigje të kësaj pyetjeje Kerry vetëm "i bëri thirrje Rusisë dhe Kinës të bashkohet me përpjekjet për eliminimin e armëve kimike dhe për shmangien e rënies së tyre në duar të gabuara".

Është mëse evidente se ndonjë vizion të qartë mbi të ardhmen e Sirisë SHBA-ja nuk ka. Pikësynim i saj është largimi nga pushteti i Bashar Al-Assad, ndërsa se çfarë do të ndodhë më tej me këtë vend në Uashington nuk preferojnë të vrasin mendjen. Përndryshe Shtëpia e Bardhë do të ishte e detyruar të bënte një sërë analogjish të pakëndshme, krejtësisht të padëshirueshme për veten, me ngjarjet e dhjetë viteve të shkuara.

Në vitin 2003 Iraku u pushtua, Sadam Husejni (Saddam Hussein) u ekzekutua me varje në litar. Dëshmi të posedimit prej tij të armëve të shkatërrimit në masë nuk u gjetën që nuk u gjetën dot. Pas njëfarë kohe amerikanët u larguan nga Iraku, duke lënë pas vetes në këtë vend një kaos total social dhe politik dhe miliarda dollarë të shpenzuara për rikonstruktimin e autokracisë lindore sipas modelit perëndimor. Ekspertët janë mëse të bindur se përpjekja për të demokratizuar Sirinë do të rezultojë në hapjen e telasheve shumë më të mëdha. Ja mendimi i analisti politik rus Aleksandër Konovallov:

- Në radhët e opozitës siriane nuk ka unitet. Me ndërhyrjen e vet në krizën siriane SHBA-ja, ka shumë të ngjarë, të sjellë në pushtet islamistët radikalë në Siri. Ndërsa një gjë e tillë nuk korrespondon as me interesat e SHBA-së dhe as me interesat evropiane.

Po ashtu si dhe në rastin me Irakun, amerikanët nuk do ta kenë aq të lehtë për t'i dhënë fund luftës si për ta filluar atë. Gazetat perëndimore shkruajnë se skenari më i mundshëm është lëshimi i raketave kruz "Tomahok" (Tomahawk) mbi territorin e Sirisë nga shkatërruesit (destroyers) e dislokuar në Detin Mesdhe. Por, duke gjykuar nga të gjitha, lufta në terren nuk do të arrihet të shmanget dot. Së pari, do të duhet të parandalohet masakra totale në shtetin e dobësuar prej konfliktit të armatosur. Së dyti, të parandalohet çdo mundësi e rënies së rezervave të armës kimike në duart e terroristëve të "Al-Qaeda".

Nga ana tjetër, nuk ka gjasa që Obama të ketë harruar fjalët e ish-Sekretarit të Mbrojtjes të SHBA-së, Robert Gates, i cili ka thënë jo shumë kohë më parë se "çdo ministër i ardhshëm i mbrojtjes, i cili do t’i këshillojë presidentit që të dërgojë trupat amerikane në Azi apo Afrikë, duhet të çohet pa mënuar tek psikiatri". Ja përsiatjet në lidhje me këtë temë të analistit politik rus Aleksandër Konovallov:

- Obama në vitin 2012 është shprehur se Amerika nuk do të tërhiqet më në konflikte të shtrenjta. Prandaj, në rastin me Sirinë fjalë mund të bëhet vetëm për dhënien e goditjeve mbi objektiva të ndryshme të përzgjedhura me raketa kruz.

Edhe Ministri gjerman i Mbrojtjes, Thomas de Maizière, i paralajmëroi vendet perëndimore që të mos ndërmarrin veprime të nxituara, duke theksuar se problemet e Lindjes së Mesme nuk mund të zgjidhen kurrsesi me mjete ushtarake.