Më 17 mars të vitit 1988 kundër qytezës kurde Halabxha (Halabja) në Irakun verior u përdor një substancë toksike. "Për një orë gjetën vdekjen rreth 5.000 kurdë". Paneli i Ekspertëve të OKB-së, nuk dihet se për çfarë arsye, s’mundi të përcaktojë dot saktësisht në vend se kush konkretisht e përdori gazin e helmët në këtë qytezë, "e cila që nga mesi i marsit ishte pushtuar prej trupave iraniane". E vërteta u zbardh më vonë. Më 17 janar të vitit 2010 Gjykata e Irakut njohu fajtor për sulmin me armë kimike në qytezën kurde Halabxha Sadam Husejnit dhe e dënoi atë me vdekje - me varje në litar.

Siç shkruan "Foreign Policy", zyrtarët e lartë amerikanë këmbëngulnin se qeveria e Husejnit nuk ka deklaruar kurrë se kishte ndërmend të përdorte armën kimike. Por koloneli në pension i Forcave Ushtarake Ajrore Rick Francona - në vitin 1988 Atashe ushtarak i SHBA-së në Bagdad - në një intervistë me revistën ka deklaruar: "Irakianët nuk na kanë thënë kurrë ne se kishin ndërmend të përdornin gazin neuro-paralitik. Dhe ata nuk kishin përse ta bënin këtë. Sepse ne tashmë dinim çdo gjë".

E kanë ditur edhe më pas. Sipas të dhënave të CIA-s, dy të tretat e armëve kimike, të aplikuara nga Iraku gjatë luftës, janë përdorur në 1.5 vitet e fundit të luftës.

Si ndodhi kjo? Në fund të vitit 1987 Shërbimi i Inteligjencës në një raport sekret paralajmëroi Presidentin Ronald Reagan se në pranverën e ardhshme ofensiva e Iranit do të jetë edhe më e masivizuar se ato të mëparshmet dhe se persianët do të kenë shans për të thyer mbrojtjen e Irakut, për të marrë nën kontroll Basra dhe për të fituar luftën. Reagan e lexoi raportin, dhe, sipas fjalëve të Rick Francona, shkroi në anë të tij me dorën e vet: "Fitorja e Iranit është e papranueshme". Dhe pas kësaj Irakut filluan t’i transmetojnë të dhëna të hollësishme në lidhje me dislokimin dhe lëvizjet e forcave të armikut. Ndërsa Iraku, duke shfrytëzuar imazhet, hartat dhe të dhënat e tjera të Shërbimit të Inteligjencës të SHBA-së, nisi të përdorte armët kimike para 4 ofensivave kryesore në fillim të vitit 1988. Bombat dhe predhat me substanca të helmëta janë përdorur kundër trupave iraniane edhe në Gadishullin Fao, çka e ndihmoi Irakun për të zaptuar të gjithë gadishullin. Ushtria iraniane nuk mundi të marrë dot nën kontrollin e vet Basra. Sipas fjalëve të Rick Francona, Uashingtoni mbeti shumë i kënaqur me rezultatin e arritur, meqenëse pas sulmeve kimike Irani nuk qe më në gjendje për të ndërmarrë ofensiva.

Tani, kur nuk është provuar ende se kush konkretisht e përdori substancën toksike në Damask, historia e kahershme me Irakun tregon fare qartë: se të fajësosh atë që dëshiron shumë është me të vërtetë e lehtë. E vështirë është të provohet më vonë se u gabuan të udhëhequr ekskluzivisht nga qëllimet më të mira. Sidomos në kohën tonë kur sekretet nuk janë aspak jetëgjata.