Tashmë që prej dy dekadash me radhë "MAKS" është shndërruar në një platformë me shumë popullaritet për komunikimin në mes përfaqësuesve të industrisë së aviacionit, të biznesit dhe shkencës. Këtë vit pjesëmarrëse të Sallonit "MAKS-2013" do të jenë më shumë se 1000 kompani, një e treta prej të cilave - të huaja. Përveç prodhuesve rusë të avionëve, prodhimet e veta do t’i paraqesin në këtë ekspozitë ndërkombëtare edhe zhvilluesit e teknikës së aviacionit dhe asaj kozmike të 43 vendeve të botës, tregoi Drejtori i Përgjithshëm i kompanisë "Aleanca e teknologjisë së aviacionit" (russ. "Альянс авиационных технологий") Viktor Prjadka:

- Një risi impresionuese në Sallonin "MAKS" do të jetë ekspozita kineze. Pilotët kinezë do të performojnë me avionët "J-10", që janë një zhvillim i suksesshëm i tyre, por me motorët tanë (rusë). Për herë të parë ekspozimi kinez në ajër dhe në tokë do të jetë kaq i gjerë. Si gjithmonë, të pranishëm në Sallonin Ndërkombëtar në Zhukovskij do të jenë avionët e shumtë administrativë të firmave të tilla si Bombardier, Cessna, Dassault Aviation si dhe shumë të tjera.

Galeria fotografike

Pritet që në rrjedhën e ekspozitës të nënshkruhen kontratat e radhës shumëmiliardëshe për blerjen e teknikës së aviacionit, si asaj ushtarake ashtu dhe civile. Shumica e transaksioneve, me propabilitet të madh, do t’i bien për pjesë Rusisë, thotë Drejtori i Përgjithshëm i kompanisë konsulente "Infomost" (russ. "Инфомост") Boris Rribak:

- Këto, padyshim, do të jenë kontratat e kompanisë sonë kryesore leasing "Ilyushin Finance Co" (russ. "Ильюшин-финанс"), e cila blen gjithmonë teknikë aviacioni me shumicë, në mënyrë që më pas t’ia japë atë me qira, në radhë të parë, kompanive ajrore ruse si dhe atyre latinoamerikane dhe aziatike. Grupi i dytë i kontratave të mëdha është i lidhur me furnizimin e pajisjeve bashkëkohore për modernizimin e forcave të armatosura.

Gjithashtu, përfaqësuesit e industrisë ruse të aviacionit presin të nënshkruajnë kontrata të leverdisshme për shitjen e produkteve të veta. Siç vuri në dukje Viktor Prjadka, aktualisht shpresa të mëdha lidhen me avionët e fluturimeve në distanca jo të largëta të familjes "Superjet".

Përveç programit mjaft të pasur të biznesit, mysafirët dhe pjesëmarrësit e Sallonit "MAKS-2013" i pret një show ajror me të vërtetë grandioz. Në ditët e vizitimeve masive të ekspozitës shikuesit do të kenë mundësinë unikale për të vlerësuar mjeshtërinë e grupeve ruse të pilotazhit të lartë. Vendi ynë përfaqësohet tradicionalisht nga grupet "Kreshnikët rusë" (russ. "Русские витязи"), "Sokolat e Rusisë" (russ. "Соколы России") dhe "Strizhi" (russ. "Стрижи") me aeroplanët luftarakë, nga grupi i helikopterëve "Berkuti" (russ. "Беркуты"), i cili për herë të parë do të debutojë me makinat e reja fluturuese - "Mi-28N" (russ. "Ми-28Н"). Gjithashtu për herë të parë në "MAKS-2013" do të performojë ekipi i Forcave Ushtarake Ajrore të Kinës "1 gushti". Kulminacion i programit të fluturimeve do të bëhet performanca e avionit luftarak rus të gjeneratës së pestë "T-50". Pritet që makinat e reja të demonstrojnë aftësitë e veta të fluturimit super të manovrueshëm në lartësi të ulëta.