Ndërsa kulminacioni i përmbytjeve pritet në fillim të shtatorit. Në këtë rajon janë ndërtuar më shumë se 11 kilometra prita mbrojtëse. U përmbytën 30 vendbanime. Në një nga fshatrat e përfshirë prej fatkeqësisë natyrore ka qenë korrespondentja jonë speciale Margarita Oshun.

Fshati Najhin, që ndodhet rreth 250 kilometra nga Habarovsk-u, mund të thuhet se qe me fat - atje uji ka përmbytur vetëm 3 shtëpi. Fshatarët ishin të përgatitur plotësisht për t’u përballur me "ujin e madh", thotë banorja lokale Galina Beldi:

- Për të përballuar përmbytjet janë përgatitur që më parë të gjithë udhëheqësit e rajonit, shërbimet e zjarrfikëses, deputetët. Ne mbajmë përgjegjësi për çdo rrugë. Kemi punuar intensivisht me njerëzit, i kemi informuar ata se ne ndodhemi në regjimin e situatës emergjente dhe se si duhet të veprojnë. Deri më sot 700 persona janë vaksinuar kundër dizenterisë, fëmijët po i vaksinojnë ndaj hepatitit A. Janë bërë analizat e ujit të pijshëm - tani për tani ai është i mirë.

Në hyrje të fshatit është krijuar një liqen. Ky përbën në vetvete një rezervuar uji me gjerësi rreth 100 metra dhe thellësi gati 1.5 metra: madje as me kostum special gome nuk e kalon dot atë mespërmes. Banorët vendorë thonë se një javë më parë ai ishte vetëm një pellg i zakonshëm. Niveli i ujit vinte duke u ngritur mu përpara syve të tyre. Në shtëpitë e veta njerëzit mund të shkojnë tani vetëm me anë të gomoneve, me të cilat banorët i transportojnë bashkëpunëtorët e Ministrisë së Situatave Emergjente.

Banori i fshatit Najhin, Juri Gejker, punon në fabrikën e peshkut të rajonit Amur. Ai ankohet se vëllimi i prodhimit tani po bie ndjeshëm:

- Është reduktuar mjaft sasia e peshkut. Ujë ka shumë, ndërsa peshku, rezulton, se noton i tëri nëpër livadhe.

Në të vërtetë peshku ka se ku të notojë tani. Një banorë lokal kapi në oborrin e shtëpisë së tij një peshk-silur pesë kilogramësh. Por gëzimi i peshkatarit ishte jetëshkurtër: sepse nën ujë kanë mbetur të gjitha kulturat e mbjella, të cilat ai i ka rritur prej disa muajsh me mund e djersë. Shumicën e perimeve dhe frutave nuk mundëm ta shpëtojmë dot, ankohet banori vendas Aleksandër Konovallov:

- I humbëm pothuajse të gjitha prodhimet. Një pjesë të patates arritëm ta gërmojmë, kurse pjesa tjetër u përmbyt. Domatet dhe trangujt notojnë gjithashtu në ujë. Nga poshtë ujit nuk do t’i marrësh për të ngrënë, sepse ai është i pistë. Shalqirin e ngrita në sipërfaqe, fatmirësisht me të nuk ka ndodhur asgjë e keqe.

Përmbytjet kanë gërryer një pjesë të rrugës automobilistike që lidh Habarovskun me një qytet tjetër të madh - Komsomolsk-mbi-Amur. Tani atje lindin periodikisht bllokime të trafikut me kilometra të gjata. Makinat detyrohen të presin nga 2-3 orë derisa ekskavatorët të ngrenë argjinaturën e rrugës së përmbytur. Vetëm pas kësaj rifillon lëvizja në autostradë. Megjithatë, shoferët, ndërsa makinat e tyre mbeten të stopuara, nuk e humbasin kohën kot. Ata marrin kallamat dhe peshkojnë pa e braktisur rrugën automobilistike. Amur është lumi i vetëm në Rusi, në të cilin jetojnë rreth 140 lloje peshqish.