Zoti Razumovskij parashtron një skenar të tillë, sipas të cilit SHBA-ja mund të japë një goditje të befasishme mbi Rusinë, duke iniciuar me këtë pavarësinë e regjionit të Ukrainës - Transkarpatia të udhëhequr nga Viktor Balloga - ish-Kreu i Zyrës së Kancelarisë të ish-Presidentit ukrainas Viktor Jushçenko. Razumovskij profetizon ndarjen e Ukrainës, dorëzimin Shteteve të Bashkuara të Amerikës të kontrollit mbi tubacionin përmes të cilit gazi rus shkon në Evropë.

E komentoi publikimin në Internet-portalin e Agjencisë Informative "Rajoni i ri" Vladimir Kozin - analisti i Institutit rus të Studimeve Strategjike:

- Unë pajtohem plotësisht me mendimin e atyre autorëve, të cilët besojnë se artikulli i Oleg Razumovskit u përgjigjet plotësisht prirjeve të nacionalistëve ukrainas që ëndërrojnë për ndarjen e Ukrainës dhe bashkimin e pjesës perëndimore të saj me shtetet e Perëndimit. Por unë mendoj gjithashtu se ky artikull është një jehonë e "politikës së dyerve të hapura" të NATO-s, në të cilën Ukrainën dhe Gjeorgjinë i kanë përmendur ndër kandidatët e rinj për anëtarësim në Bllokun e Atlantikut të Veriut. I gjithë problemi konsiston në faktin, se Ukraina i intereson NATO-s si një plasdarm për dislokimin e sistemit të mbrojtjes antiraket të Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s.

Sepse SHBA-ja nuk po heq dorë nga vendosja e bazave operative të mbrojtjes antiraket në territorin e Polonisë dhe në bazën ushtarake ajrore të Rumanisë. Me sa duket, strategët e NATO-s besojnë se numri aktual i bazave operative tokësore të sistemit të mbrojtjes antiraket është i pamjaftueshëm, prandaj dihet dhe dëshira e disa qarqeve më luftarake, më agresive natoviane për ta përdorur territorin e Ukrainës për dislokimin e plasdarmave suplementare të sistemit të mbrojtjes antiraket. Qëllimi i krijimit të plasdarmave të tilla përkufizohet si një mbrojtje nga rreziku kërcënues i raketave iraniane. Por, në fakt, baza të tilla supozohet të përdoren kundër Federatës Ruse. Pjesa perëndimore e Ukrainës i intereson strategët e NATO-s dhe disa vende evropiane, ndër të tjera, edhe për të siguruar integrimin e Moldavisë në aleancat ushtarake perëndimore, kurse më pas edhe për bashkimin e Republikës Moldave të Transnistria me shtetet perëndimore.

Artikuj me fantazira të tilla, si ai i Oleg Razumovskit, kanë filluar të botohen mjaft shpesh. Ato mund të karakterizohen si provokativë, ndërsa unë do të thoja madje të paskrupullt, arrogantë. Veçanërisht kur në to tingëllojnë kërcënime në adresë të shteteve sovrane. Dhe unë jam mëse i bindur se çdo përpjekje për të ndarë pjesën perëndimore të territorit të vendit nuk do të gjejë kurrë mbështetjen e udhëheqjes së tanishme ushtarake dhe politike të Ukrainës.