Mbështetësit e ish-Presidentit tani po e shprehin gëzimin e tyre nga ky vendim me tubime e marshime në rrugë. Dhe, duhet thënë, se të tillë janë shumë më tepër se ata që shprehen të pakënaqur me vendimin e gjykatës. Lëvizja "Tamarod", e cila luajti një rol kyç në përmbysjen e pasuesit të Hosni Mubarak - Mohammed Mursi, ka njoftuar tashmë synimin e saj për të mbajtur marshime proteste të premten.

Ndërkohë, nga pikëpamja ligjore, kurrfarë pretendimesh ndaj gjykatës për këtë vendim nuk mund të ketë, shprehet me bindje të plotë avokati nga Kajro Amir Salem:

- Vendimi për lirimin e Hosni Mubarak ka karakter krejtësisht ligjor dhe nuk ka të bëjë fare me politikën. Ai nuk është i lidhur as me ushtrinë e Egjiptit dhe as me regjimin e ri. Kjo është e lidhur ekskluzivisht me faktin se periudha e mbajtjes së përkohshme të tij në paraburgim i ka shteruar të gjitha limitet e mundshme të zgjatjes. Natyrisht, politikanët do ta shfrytëzojnë në favor të vet këtë lirim të tij, por kjo nuk e ndryshon në kurrfarë mënyre faktin se lirimi i Mubarak nuk ishte një vendim politik.

Unë, personalisht, përkatësisht bindjeve të mia politike jam kundërshtar i papajtueshëm i Mubarakut, por të konfirmohet se midis tij dhe autoriteteve të reja ekzistonin ndofarë marrëveshjesh të caktuara, dhe prandaj ai u lirua, do të ishte krejtësisht pa vend. Unë vetë në proceset gjyqësore gjithashtu mbroj ato të drejta, të cilat me ligj ka të drejtë t’i gëzojë çdo i akuzuar në bazë të Kodit të Procedurës Penale. Këtë e bën çdo avokat dhe politika s’hyn fare këtu.

Nga një tjetër këndvështrim e vlerëson situatën në fjalë Drejtori i Qendrës Arabe për Hulumtime në Kajro, Ali Abdarrahim:

- Mubarak u vendos nën arrest shtëpiak për aq kohë sa do të zgjasë procesi gjyqësor. Me sa duket, deri në atë kohë ne do të kemi një president të ri të zgjedhur, ndërsa Mubarak do të jetë atëhere një qytetar i zakonshëm dhe interesi i rritur ndaj rastit të tij do të bjerë. Por, në përgjithësi, ne shohim se në fakt po ndodh rehabilitimi faktik i periudhës së drejtimit të tij. Dhe problemi nuk konsiston aspak në autoritetet e tanishme të përkohshme të vendit. Pothuajse të gjithë politikanët e autoritetshëm të regjimit të Mubarak, të cilët iu nënshtruan më parë arrestimit, kanë dalë nga burgu gjatë kohës së drejtimit të Mohammad Mursi. Prandaj ne nuk mund të themi se e hoqëm qafe regjimin e vjetër: të gjithë ata, që u përmbysën nga pushteti në vitin 2011, u gjetën të pafajshëm dhe u liruan nga burgu.

Ish-Presidentit egjiptian do t’i duhet ende edhe për një farë kohe të marrë pjesë në seancat gjyqësore. Përpara është gjyqi për rastin e përfshirjes së tij të dyshuar në vrasjen e protestuesve në janar të vitit 2011. Seancat dëgjimore do të rifillojnë më 25 gusht.