Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së Rusia dhe Kina bllokuan përpjekjen për t’ia hedhur të gjithë përgjegjësinë për përdorimin e supozuar të substancave helmuese kimike regjimit të Bashar Al-Assadit. Moska dhe Pekini kanë bërë thirrje për kryejen së pari të një hetimi gjithëpërfshirës të të gjitha fakteve nga ana e inspektorëve të OKB-së.

Duke u bazuar në informatat e siguruara prej burimeve të veta të besueshme, Rusia njoftoi se raketa e mbushur me substancë kimike u lëshua nga militantët e opozitës. Moska këmbëngul gjithashtu për hetimin sa më të shpejtë të incidentit, tha Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme ruse, Aleksandër Llukasheviç. Por me këtë mund të lindin vështirësi.

- Zona në fjalë është nën kontrollin e militantëve. Ne besojmë se Misioni i OKB-së duhet të merret vesh për organizimin e një hetimi të imtësishëm me autoritetet siriane, si me palën pritëse të ekspertëve të tij.

Shumica e ekspertëve perëndimorë dyshojnë se forcat qeveritare mund të ndërmerrnin një hap të tillë kaq të marrëzishëm. Kështu mendon, për shembull, Kryeredaktori i revistës "Mbrojtja” (“Défence”) Richard Labévière. Është plotësisht e mundur që rebelëve sirianë të mos i ketë mbetur rrugëdalje tjetër përveç përdorimit të armës kimike me qëllim që të tërheqë vëmendjen e opinionit publik, tha Labévière:

- Duhet të tregohemi jashtëzakonisht të kujdesshëm gjatë studimit të të gjitha rrethanave të përdorimit të armëve kimike në Siri. Kjo temë është ngritur çdo herë kur janë dobësuar ndjeshëm pozitat e opozitës siriane. Më tepër gjasa ka që fjalë të bëhet për luftën psikologjike dhe përpjekjen për të manipuluar me opinionin publik.

Ndërkohë, për "zgjidhjen me forcë" të situatës së krizës në Siri nisën të flasin fare hapur Turqia, Britania e Madhe dhe Franca. Tonin gjithë këtij uryshi ia jep Parisi. Në një intervistë me kanalin televiziv francez BMFTV Ministri i Jashtëm i Francës, Laurent Fabius, deklaroi se koha e dhënies së përgjigjes me përdorimin e forcës ka ardhur tashmë. Ministri tha gjithashtu se "nëse Këshilli i Sigurimit i OKB-së nuk mund të marrë një vendim në lidhje me ngjarjet në Siri, atëhere vendime të tilla do të merret me ndonjë rrugë tjetër".

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Aleksandër Llukasheviç, e ka quajtur deklaratën e Laurent Fabius në lidhje me dhënien e "përgjigjes me përdorimin e forcës" me anashkalim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së - të çuditshme. Për më tepër se deri tani nuk ka kurrfarë dëshmish faktike materiale të përdorimit të armëve kimike në Siri.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës tani për tani nuk kanë thënë se opsioni ushtarak është i pashmangshëm. Presidenti Barack Obama, siç deklaroi zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, ka urdhëruar agjencitë e inteligjencës amerikane për të mbledhur dhe analizuar të gjithë informacionin e mundshëm mbi përdorimin e dyshuar të armës kimike në periferi të Damaskut.