"Ringjallja e konkursit të këngës në Sopot është një ngjarje e rëndësishme jo vetëm në jetën kulturore të Polonisë", - tha Ambasadori rus në Poloni Aleksandër Aleksejev:

- Në kohën e vet festivali ishte i një rëndësie jashtëzakonisht të madhe për jetën e elitave krijuese të vendeve tona. Polakët e mbajnë mend fort mirë se dikur këtë festival e fitoi këngëtarja ruse Alla Pugaçova, dhe ata janë mëse të bindur se pikërisht ky sukses i ka dhënë impuls zhvillimit të mëtejshëm të karrierës së saj.

Ky nuk është i vetmi festival muzikor në Poloni, i cili po përjeton tani një rilindje të vërtetë. Ambasadori rus Aleksandër Aleksejev kujton:

- Pak ditë më parë u mbajt me një sukses të madh edhe një tjetër festival i rilindur muzikor - Festivali i këngës ruse në Zielona Góra. Së bashku me festivalin në Sopot ai i shërben rivendosjes së hapësirës së përbashkët kulturore të Rusisë dhe Polonisë, u lejon njerëzve që të ndjejnë më mirë afërsinë e mentaliteteve të dy popujve, të vërejnë ngjashmërinë e shijeve artistike.

Në mbrëmjen e ditës së premte Festivali në Sopot do të fillojë me koncertin "Life is Life" - vitet e 80-ta kthesë", në të cilin do të këndojnë Rick Astley, Belinda Carlisle (interpretuesja e hitit gjithmonë të ri "La Luna"), grupi OPUS si dhe Helena Vondráčkowa, këngëtarja njëlloj e njohur si në Poloni, po ashtu dhe në Republikën Çeke e Rusi. Spektatorët do të shohin gjithashtu edhe interpretuesit polakë, për shembull, grupin "Budka Suflera". Në të njëjtën ditë, gjatë koncertit të dytë "Top of the Top", në skenë do të dalin artistët, të cilët në shumë vende konsiderohen si yje të padiskutueshëm. Do të marrin pjesë në të intepretues nga e gjithë Evropa, duke përfshirë edhe nga Rusia, Britania e Madhe, Suedia, Gjermania, Franca, Holanda dhe Sllovakia. Si mysafir do të debutojë Matt Dusk nga Kanadaja.

Gjatë koncertit, në bazë të votimit të publikut, do të zgjidhet kënga më e mirë dhe fituesi do të marrë statuetën "Bilbili i qelibartë" nga duart e Jacek Karnowski, Kryebashkiakut të Sopot.

Radiokompania "Zëri i Rusisë", media partnere e Festivalit në Sopot të Polonisë, do të mbajë audiencën e vet në korrent të të gjitha ngjarjeve dhe aktiviteteve të zhvilluara në kuadër të tij.