Periudha më e mirë në historinë e Festivalit ishin, ndoshta, vitet 1977-1980 - ai quhej atëhere Festivali Ndërkombëtar i Muzikës i Intervizion. I organizuar në mënyrë të shkëlqyer në shkallë të gjerë nga kanali televiziv TVP, ai ishte një konkurrent i vërtetë i Eurovision. Çmimi për simpatinë e shikuesve ishte në atë kohë një jaht detar, kurse përbërja me të vërtetë yjore e pjesëmarrësve të Festivalit mund të befasonte madje edhe melomanët më të sofistikuar.

Në vitin 1979 në këtë Festival performoi ylli i atëhershëm i madhësisë së parë, grupi "Bonny M" me këngën e titulluar "Rasputin". Performanca e tij u dha nga kanali televiziv TVP vetëm një ditë më vonë dhe pa këtë këngë, e cila, sipas mendimit të bordit të kanalit, ishte e drejtuar kundër Bashkimit Sovjetik.

Në katër vitet pasuese Festivali nuk u mbajt - Polonia po përjetonte në atë kohë periudhën e ndryshimeve të bujshme shoqërore dhe politike. Ai rifilloi vetëm në vitin 1984.

Në vitin 2004 kanali televiziv shtetëror TVP humbi të drejtën e organizimit të Festivalit. Që nga viti 2005 Sopot Festival vazhdoi të organizohet nga kanali televiziv privat TVN, por në fund të kontratës në vitin 2009 TVN dha dorëheqjen nga kjo punë. Në vitet 2010-2011 Festivali nuk u zhvillua.

Që nga viti 2012 Festivali i quajtur Sopot Top of the Top Festival kaloi në duart e televizionit privat polak - Polsat. Që nga ajo kohë ai po i rikthen gradualisht vetes statusin e mëparshëm ndërkombëtar. Këtë vit, të herë të parë në rolin e partnerit të huaj informativ të tij do të dalë "Zëri i Rusisë", Kompania radiotransmetuese shtetërore, e cila gjurmon historinë e saj që në vitin 1929.

Përveç audiencës polake, koncertet e Festivalit do t’i ndjekin shikuesit në Suedi e Finlandë, në Ukrainë, në Letoni dhe Shqipëri. Tani po zhvillohen negociata intensive me Kanalin e Parë (1) rus në lidhje me transmetimin e Festivalit në Rusi.

Këtë vit Festivali do të zhvillohet më 23-24 gusht, ndërsa "Zëri i Rusisë" do të mbajë audiencën e vet në korrent të të gjitha ngjarjeve të tij.