Përmbytjet drastike në rajonin e Amur kanë përfshirë 143 qendra të banuara. Më shumë se 32 mijë njerëz kanë humbur shtëpitë e tyre. Nën ujë u ndodhën qindra kilometra rrugë automobilistike, ura, janë dëmtuar keq sistemet e komunikimit dhe linjat e tensionit të lartë. Rajonet më të prekura janë Habarovsk, Amur dhe Qarku Autonom Hebre.

Për eliminimin e pasojave të përmbytjeve nga Fondi i rezervave të Qeverisë rajoneve u janë caktuar tashmë më shumë se tre miliardë rubla (100 milionë $). Ky është kësti i parë i ndihmës financiare që synon dhënien e ndihmës materiale popullatës dhe mbulimin e shpenzimeve të lidhura me organizimin e operacioneve të shpëtimit dhe evakuimit. Vlerësimi përfundimtar i dëmit nuk është bërë akoma, prandaj mbetet e paqartë se çfarë burimesh financiare do të nevojiten për rimëkëmbjen e objekteve sociale, infrastrukturës komunale dhe godinave të banimit.

Sipas llogaritjeve paraprake, sektorit bujqësor të rajonit i është shkaktuar një dëm prej 8 miliardë rubla (260 milionë $), vënë në dukje ekspertët. Nga 1.5 milionë hektarë të tokës së kultivuar në Lindjen e Largët është shkatërruar gati 1/3 e këtyre sipërfaqeve. Rajoni më i prekur është ai i Amur - hambari i sojës i Rusisë. Bujqësia po pëson nga përmbytjet humbje jashtëzakonisht të mëdha, tha Zëdhënësi i Ministrisë së Bujqësisë. Pjotër Çekmarjov:

- Përveç dëmtimit serioz të të lashtave i është shkaktuar dëm i madh edhe pjellorisë së tokës. Po ndodh shpëlarja e azotit, kalciumit nga përbërja e dheut. Një sasi e madhe e substancave të dëmshme mund të depërtojë në tokë tani. Po ndodhin gërryerje, rrëshqitje të dheut. Do të nevojitet ripërtëritja nga e para e tokave bujqësore me qëllim që të mund të merret prodhim në vitin e ardhshëm. Në vitin e parë pas përmbytjeve të korrat gjithmonë reduktohen në 50 për qind. Restaurimi i plotë i fertilitetit të tokës mund marrë dy deri tre vjet.

Ndërkohë, meteorologët paralajmërojnë se përmbytje të tilla në Lindjen e Largët të Rusisë do të përsëriten vazhdimisht. Kjo është e lidhur me ciklin e natyrshëm 20-vjeçar të luhatjeve të nivelit të ujit në lumin Amur dhe degët e tij. Tani ka filluar pikërisht faza e rritjes. Kurse kjo do të thotë se në dekadën e ardhshme situata do të jetë e pafavorshme.