- Në momentet aktuale zhytësit indianë po përpiqen të përcaktojnë se si mund të shpëtohet anija. Forcat Ushtarake Detare të Indisë duan të vlerësojnë dëmin e shkaktuar nga fundosja e saj në mënyrë të mëvetësishme, para se të ftojnë ndokënd apo të pranojnë ndihmën e ofruar nga vendet e tjera, përfshirë Rusinë si dhe disa organizata ndërkombëtare.

Unë e kuptoj për mrekulli përse hezitojnë autoritetet indiane: shpërthimi që ndodhi në nëndetëse, në radhë të parë, është shok i madh për vendin dhe një hap prapa.

India ka me Rusinë marrëdhënie shumë të veçanta, dhe jo vetëm për shkak se kjo nëndetëse u ndërtua në Rusi, por edhe për vetë faktin se nëndetësen tonë të parë ne e kemi blerë nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1967.

Tani unë nuk do t’i jepja shumë rëndësi faktit se autoritetet indiane kanë vendosur ta kryejnë vetë, në mënyrë të pavarur, hetimin. Unë jam i mendimit se ato do të jenë në gjendje për ta shpëtuar nëndetësen, ndoshta, duke e transportuar atë në një vend tjetër.

Unë jam thjesht një analist dhe nuk mund të flas në emër të qeverisë, por mendoj megjithatë se Rusia e di se India ka marrë nga kolegët rusë fjalë të shumta ngushëllimi e bashkëpërjetimi në lidhje me tragjedinë. Dhe ne e vlerësojmë shumë këtë gjë.

Në etapën e tanishme autoritetet nuk duan të nxitojnë, por sapo India të ketë nevojë për ndonjë ndihmë apo ekspertizë, unë jam mëse i bindur, se ne do ta pranojmë ndihmën e ofruar nga jashtë me kënaqësi.

- Si mund ta vlerësoni bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe çështjet e sigurisë midis Rusisë dhe Indisë?

- Unë do të thoja se ai është jashtëzakonisht i rëndësishëm si për Indinë, ashtu dhe për Rusinë, sepse unë sjell ndërmend marrëdhëniet mes dy vendeve gjatë viteve të “Luftës së Ftohtë”. Dhe atëherë, edhe pas vitit 1991, India dhe Rusia kanë pasur gjithmonë marrëdhënie të veçanta.

Kohët e fundit Rusia dhe India kanë shprehur njëfarë zhgënjimi nga gjendja e marrëdhënieve reciproke në sferën tekniko-ushtarake. Interpretohet në mënyra të ndryshme situata rreth vonesave me dorëzimin prej palës ruse të aeroplanmbajtëses "Admiral Gorshkov" Indisë. Qëndrimi ndaj bashkëpunimit brenda kuadrit të marrëveshjeve të nënshkruara për furnizimin e pjesëve të këmbimit për pajisjet ushtarake nuk është më ai i mëparshëm. Kjo, me siguri, ka ndodhur për shkak të zhvendosjes së prioriteteve politike. Duket fare qartë se për Moskën tani në plan të parë kanë dalë çështjet e brendshme. Ndoshta ka ardhur koha për t’i rishikuar dhe për t’i riformatuar marrëdhëniet ruso-indiane edhe në lidhje me aeroplanmbajtësen, armët konvencionale si dhe shumë çështje të tjera. India vazhdon ta vlerësojë, si dhe më parë, Rusinë si partneren e vet më të besueshme dhe më besnike.

- Sipas njoftimeve të fundit, Forcat Ushtarake Detare indiane planifikojnë të marrin me qira edhe dy nëndetëse të tjera ruse. Çfarë mund të thoni në lidhje me këtë?

- Po, kjo është mëse e vërtetë. Rusia është partnerja jonë e besueshme. Dhe ne e vlerësojmë shumë këtë partneritet. Dy vendet tona bashkëpunojnë ngushtë në sferën e arsimit, trajnimit të marinarëve ushtarakë dhe në çështjet teknike.