Disa ekspertë konfirmojë se në qoftë se Irani do të veprojë në mënyrë transparente dhe nën mbikëqyrjen e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (ANEA) asgjë e tmerrshme nuk do të ndodhë. "Por" kryesor në të gjithë atë që po ndodh tani është qëndrimi i Izraelit, i cili reagon me nervozizëm të madh ndaj çdo njoftimi apo mesazhi nga “fronti bërthamor” iranian, vë në dukje eksperti rus për sigurinë ndërkombëtare Pjotër Topiçkanov:

- Politikanët izraelitë janë shprehur vazhdimisht se Irani e ka kapërcyer tashmë "linjën e kuqe" dhe se veprimet e tij dëshmojnë në mënyrë evidente qëllimin për të zhvilluar armën bërthamore. Nëqoftëse Izraeli i interpreton kështu këto njoftime, atëhere ai mund të ndërmarrë veprime po të tilla si ato të kahershme kundër Sirisë. Domethënë, të japë një goditje të fuqishme ushtarake (në shtator të vitit 2007 avionët luftarakë izraelitë shkatërruan plotësisht një reaktor bërthamor sirian në Al-Kibar). Kurse kjo do të përkeqësojë në mënyrë serioze tensionet rajonale.

Irani aktualisht ka 18.000 centrifuga për pasurimin e uraniumit. Por, pothuajse të gjitha ato janë centrifuga të brezit të vjetër, primitiv. Për prodhimin e uraniumit të pasuruar në shkallë industriale nevojiten përafërsisht 30.000 centrifuga të mostrave më të reja.

Irani është përpjekur prej kohësh, por pa sukses, për ta blerë këtë lloj karburanti (silicide fuel) jashtë shtetit, veçanërisht nga Franca apo Rusia. Por, për arsye politike, të gjitha tentativat e tij për ta bërë këtë kanë dështuar. Dhe tani ai është duke u përpjekur për të arritur prodhimin e vet të këtij karburanti, shpjegon Drejtori i Qendrës Ruse për Energjetikën dhe Sigurinë, Anton Hllopkov:

- Ky është një nga llojet e karburantit që përdoret në reaktorët kërkimorë. Ai është mjaft i vështirë për t’u prodhuar. Në shkallë industriale një karburant i tillë prodhohet aktualisht vetëm nga dy vende - Franca dhe Argjentina. Pikërisht karburanti argjentinas në 30 vitet e fundit është përdorur në Iran. Por rezervat e tij po shterojnë tashmë. Është e parakohshme të thuhet se Irani ka arritur nivelin teknologjik të prodhimit të këtij lloj karburanti në shkallë industriale.

Në sfondin e manovrave politike rreth "programit bërthamor" të Iranit, tashmë pakkush mban mend se energjetika bërthamore në këtë vend u shfaq me ndihmën e Uashingtonit që në mes të shekullit të kaluar, kur u themelua Qendra Bërthamore e Universitetit të Teheranit. Zhvillimet në fushën e energjetikës bërthamore zhvilloheshin nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara, me të cilat Irani ka nënshkruar marrëveshjen përkatëse në vitin 1957. Sipas këtij dokumenti, Uashingtoni u zotua t’i vërë në dispozicion Iranit instalimet bërthamore, pajisjet e nevojshme dhe të trajnojë specialistët vendas. Ndërsa sot Uashingtoni është kritiku kryesor i planeve bërthamore të Iranit.