Mbi 3.500 vetë arritën të evakuojnë ekipet e shpëtimit gjatë 24 orëve të kaluara nga zonat e përmbytura. Numri i përgjithshëm i të evakuuarve i tejkaluar 23.000 vetët. Ndërtimi i pendave (sfrateve) është tani detyra kryesore. Të tilla janë ngritur në më shumë se tetë kilometra.

Mbi situatën e tanishme emergjente në Habarovsk Radiokompanisë "Zëri i Rusisë" i tregoi njëri nga banorët vendas, Dimitri Karasteljov:

- Në qytet uji është ngritur mbi nivelin kritik dhe filloi të shkatërrojë pendat. Dje ndodhën erozionet dhe çarjet e para të pendave, ndërsa sot ato janë përforcuar edhe më shumë. Natën në pjesën kontinentale të Habarovskut për herë të parë u përmbytën disa blloqe të shtëpive të banimit. Filloi evakuimi i banorëve. Uji ka mbuluar rrugën përgjatë lumit fare pranë Stadiumit “Lenin”. Ndërsa kjo zonë është qendra e qytetit Habarovsk.

Sipas parashikimit të meteorologëve, në ditët e ardhshme situata vetëm do të përkeqësohet. Në lidhje me këtë mbi supet e bashkëpunëtorëve të ekipeve të shpëtimit do të bjerë një barrë suplementare. Megjithëse edhe tani ata, sipas fjalëve të Dimitri Karasteljov, vazhdojnë të punojnë pa u lodhur.

- Tani shpëtuesit janë duke punuar në kushte shumë të vështira. Ata vazhdojnë të ngrenë pa pushim penda të reja të përkohshme, të rregullojnë ato që janë çarë prej vërshimeve të ujit. Dhe me kalimin e çdo ore puna atyre u shtohet akoma dhe më shumë për shkak se pendat nuk i rezistojnë dot rrymave të fuqishme të ujit. Askush nuk e priste një rritje të tillë të nivelit të lumit Amur, ai është absolutisht i pashembullt. Që pardje ne kemi regjistruar pikën e rekordit absolut - 642 cm. Ndërsa tani niveli i ujit i është afruar shumë 7 metrave. Ndërkohë pritet që niveli maksimal të arrijë deri në 7 metra e 80 centimetra. Sigurisht, qyteti është dëmtuar keq nga këto përmbytje drastike.

Përmbytja ka prekur tashmë disa zona të banuara të qytetit të Habarovsk. Në zonën e përmbytur ndodhen aktualisht 176 shtëpi. Do të duhet të evakuohen medoemos mbi 271 banorë. Ekipet e shpëtimit kanë siguruar mjetet e nevojshme të transportit që do t’i çojnë ata në vendin e strehimit të përkohshëm. Gjatë rrugës njerëzit i shoqërojnë psikologët.

Ia vlen të shtojmë se nga fatkeqësia natyrore janë prekur jo vetëm rajonet e Rusisë, por edhe zonat në kufirin me Kinën. Atje nga përmbytjet janë shkatërruar disa mijëra shtëpi, pa strehë mbi kokë kanë mbetur më shumë se 2.5 milionë njerëz. Në Rusi, për fat të mirë, deri tani nuk ka patur viktima. Në Kinë, si rezultat i përmbytjeve, gjetën vdekjen mbi 100 vetë.