Në vitin 2013 përfundon menjëherë afati i dy marrëveshjeve që ndalojnë proteksionizmin në sferën e tregtisë: vendimi i udhëheqësve të “G-20”, i miratuar në vitin 2010 në Toronto, dhe vendimi i Samitit të APEC i marrë në Yokohama në vitin 2010. Prandaj nuk të habit aspak fakti që udhëheqësit e “G-20” duan të diskutojnë se çfarë të bëjnë më tej.

Proteksionizmi klasic, drejtvizor i llojit të bllokadës kontinentale të Anglisë gjatë Luftërave Napoleoniane mbeti tashmë në të kaluarën. Tani metodat janë bërë ku e ku më të rafinuara, ndërsa retorika tejet e sofistikuar. Në samitin e “G-20”, ka shumë të ngjarë, që të gjitha vendet të deklarojnë mbështetjen e tyre për ndalimin e proteksionizmit, ndërsa pastaj... do të gjejnë mënyra për ta anashkaluar atë, shprehet ekspertja e Shkollës moskovite të Biznesit Viktoria Perskaja. Sipas mendimit të saj, shteteve nuk i mbetet rrugëdalje tjetër. Proteksionizmi kërkohet nga ekonomia bashkëkohore e postkrizës, kurse refuzimin publik i tij nga diplomacia:

- Ato vende, që kuptojnë domosdoshmërinë e të pasurit të një ekonomie më të balancuar kombëtare, do t’i japin ndihmë e mbështetje konkrete prodhuesit kombëtar. Dhe në këtë rast nuk duhet imponuar domosdoshmërisht aplikimi i detyrimeve doganore, sepse mund të përdoret për mrekulli sistemi i standardeve teknike, duke vendosur me këtë kushtin që të gjithë eksportuesit potencialë duhet t’i përgjigjen këtij standardi.

Edhe pse vendet i përdorin tashmë që prej kohësh këto teknika e metoda për të mbrojtur tregun e tyre nga importet konkurruese, ato jo gjithmonë përfitojnë rezultatin e dëshiruar, vuri në dukje ekonomisti rus Aleksei Portanskij:

- Masat proteksioniste u shfaqën madje edhe brenda vetë BE-së, domethënë Bashkimit Doganor, gjë kjo që, në parim, nuk duhet të ndodhë. Franca ka ndaluar importin e disa prej modeleve të reja të makinave Mercedes nga Gjermania, duke gjetur për këtë një pretekst krejtësisht formal: se gjoja gjermanët kanë përdorur për kondicionerin e ajrit të automobilave jo reagjentin e lejuar nga Komisioni Evropian.

Disa shembuj të tjerë të konfrontimeve tregtare bashkëkohore: kontestet e ndryshme për shkelje të patentave mes Apple dhe Samsung, për shkak të të cilave Shtetet e Bashkuara mund të ndalojnë shitjen e disa smartphones dhe tablets të prodhuara nga Koreja e Jugut. Ose konflikti mes Kinës dhe BE-së, i cili mund të shkaktojë zhdukjen prej tregjeve evropiane të paneleve diellore të lira, ndërsa nga dyqanet kineze - të verërave italiane dhe franceze. Është krejtësisht evidente se humbësit në të gjitha luftërat e tregtisë janë vetëm konsumatorët. Kompanitë, të cilat humbasin mundësinë për të importuar produktet e tyre në vende të ndryshme, pësojnë humbje në një perspektivë afatshkurtër, por në fund të fundit gjejnë megjithatë për veten tregje të tjera. Ndërsa konsumatorët privohen gjatë kësaj nga liria e zgjedhjes.