Sistemi i Survejimit të Hapësirës i Forcave Ushtarake Ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (Air Force Space Surveillance System) është quajtur thjesht “Space Frence” apo "Gardhi kozmik". Radarët e këtij sistemi janë të aftë të pikasin në orbitë të gjitha objektet me përmasa më të mëdha se 10 cm, të cilat përbëjnë rrezik kërcënues për satelitët dhe, para së gjithash, për Stacionin Kozmik Ndërkombëtar. Duke marrë paralajmërimin nga Toka Stacioni mund të manovrojë për të shmangur përplasjet e mundshme. Dhe ja, Komanda e Forcave Hapësinore ​​- një nga nënrepartet e Forcave Ushtarake Ajrore të SHBA-së nuk po e zgjat tani kontratën me firmën, e cila për 4 vjet ka siguruar punën e “Space Frence”. Aty nga 1 tetori radarët e sistemit duhen të rreshtin së funksionuari.

Por pas çaktivizimit të sistemit “Space Frence” rreziku për ekuipazhin i SKN-së (ISS) nuk do të rritet - me survejimin e mbeturinave kozmike do të merren sisteme të tjera, është mëse i bindur anëtari i Akademisë ruse të Kozmonautikës, Juri Karash:

- Rusia zotëron sistemin e quajtur "Okno" (“Dritare”), i cili është i vendosur në Azinë Qendrore. Prandaj mbyllja e sistemit amerikan nuk përbën asnjë kërcënim potencial për ekuipazhin e Stacionit Kozmik Ndërkombëtar (SKN apo ISS).

Bashkëbiseduesi i dytë i Radiokompanisë "Zëri i Rusisë" tërhoqi vëmendjen ndaj specifikës së "gardhit". Ja mendimi i Redaktorit të revistës "Të rejat e Kozmonautikës” (russ. “Новости космонавтики”) Igor Afanasjev:

- Avantazhi kryesor i sistemit amerikan “Space Frence” konsiston në faktin se ai mund të survejojë objektet në një lartësi prej deri në 24 mijë km. Ndërsa lartësia e fluturimit të SKN-së (ISS) është shumë më e ulët. Mendoj se këtu nuk ekziston propabiliteti i rritjes së rrezikut kërcënues.

Por jo të gjithë ekspertët mendojnë kështu. Vëzhguesi amerikan i satelitëve dhe zotëruesi i site http://www.satwatch.org/ Mike Coletta vuri në dukje edhe një tjetër tipar të “Space Frence”. Ky rrjet nuk ka nevojë për t’u drejtuar në mënyrë specifike diku, në fushëpamjen e tij përfshihet gjithçka - radarët operojnë plot 24 orë pa pushim. Në shumë gjëra, falë këtij rrjeti u mundësua saktësimi i vendndodhjes së fragmenteve pas testimit nga Kina në vitin 2007 të armës anti-satelit dhe përplasjes së aparatit kozmik amerikan dhe atij rus në vitin 2009. Kështu që, parashikimi i lëvizjes së rrymave të mbeturinave kozmike në lartësitë e fluturimeve të shpeshta, duke përfshirë edhe ato ku operon SKN-ja (ISS), që këtej e tutje do të bëhet më i vështirë.

Forcat Ushtarake Ajrore të Shteteve të Bashkuara thonë se çaktivizimi i pajisjeve të vjetëruara të sistemit të sipërpërmendur është i lidhur me kursimin e mjeteve financiare. Por ky konfirmim në të vërtetë nuk tingëllon aspak në mënyrë të besueshme: sepse për funksionimin e “Space Frence” në vit shpenzohen të ardhurat modeste prej 14 milionë $.

Sipas mendimit të analistëve amerikanë, fjalët në qarkullim mbi fikjen e sistemit “Space Frence” nuk janë gjë tjetër veçse një formë e veçantë e ushtrimit të presionit mbi Pentagonin dhe Kongresin prej lobistëve nga industria. Atyre i duhet që Kongresi të miratojë sa më shpejt që të jetë e mundur caktimin e fondeve për ndërtimin e rrjetit të brezit të ardhshëm, ndërsa kjo shumë është tashmë rreth 3 miliardë dollarë.