Në vitin 2001 në Edmonton të Kanadasë ekipi kombëtar i Rusisë në mënyrë të barabartë me atletët amerikanë fitoi 5 medalje të arta, por i la pas megjithatë rivalët e vet në numrin e përgjithshëm të medaljeve të fituara. Rezultatet aktuale të tij i kanë tejkaluar të gjitha parashikimet. Kjo është fitorja e dytë e sportistëve rusë në Kampionatin Botëror.

Në përgjithësi, Kampionati në fjalë ka konfirmuar trendin e viteve të fundit. Shtetet e Bashkuara gradualisht po i dorëzojnë pozitat e veta në atletikën e lehtë. Në vitin 2009, në Berlin, ekipi kombëtar amerikan fitoi vetëm 10 medalje të arta. Në vitin 2011 në botërorin në Daegu koreanojugor ai demonstroi njëfarë rritje të vogël - siguroi 12 medalje të arta. Në Moskë numri i përgjithshëm i medaljeve mbeti i njëjtë - 25, por vetëm 6 prej tyre janë ari.

Treshen e më të fortëve e mbylli ekipi kombëtar i Xhamajkës me 6 medalje ari. 5 medalje ari u fituan prej atletëve nga Kenia, të cilët u pozicionuan në vendin e katërt në renditjen e përgjithshme ekipore, duke parakaluar, në veçanti, Britaninë e Madhe. Nuk është përfshirë në treshen e më të mirëve as Gjermania, e cila përfundoi në vendin e pestë.

Në Kampionatin Botëror të Atletikës së Lehtë në Moskë nuk pati rekorde botërore. Por rezultatet më të mira të sezonit, rekordet kombëtare, arritjet më të larta personale ishin me bollëk.

Atleti ukrainas i kërcimit së larti Bogdan Bondarenko mori pjesë në rivalitetin e fortë në disiplinën e vet sportive duke duruar dhimbjen e madhe në kofshë dhe në shputën e këmbës për shkak të traumave të marra më parë. Pavarësisht nga kjo ai arriti të përsërisë rezultatin e tij më të mirë të sezonit në botë. Atleti fitoi medaljen e artë me rezultatin 2 metra e 41 centimetra.

Njëri prej heronjve të këtij Kampionati Botëror u bë njeriu më i shpejtë i planetit, mbreti i sprintit nga Xhamajka Usain Bolt. Ai fitoi medalje të arta në garat 100 dhe 200 metra si dhe në stafetën 4x100 metra. Në finalen e njëqind metërshit atleti bëri një spektakël të vërtetë: në fillim ngadalësoi paksa vrullin mbas startit duke i lënë rivalët të shkëputen përpara, ndërsa tashmë në mes të distancës i parakaloi të gjithë ata dhe fitoi medaljen e artë.

Më shumë sportdashës u mbodhën në Arenën e Madhe sportive të stadiumit "Lluzhniki" në një ditë jave, kur garoi Elena Isinbajeva (Yelena Isinbayeva). Dy herë kampionia olimpike dhe 28-herë mbajtësja e rekordit botëror në disiplinën e kërcimit me shkop, pas Kampionatit Botëror të Moskës vendosi të bëjë një pushim në aktivitetin e saj sportiv. Fitoren në këtë Kampionat ajo e quajti më të rëndësishmen e karrierës së vet:

- Sot, pasi fitova medaljen e artë, unë do të thoja se kjo është medalja më e shtrenjtë e karrierës sime. Sepse pas Pekinit dhe para Kampionatit Botëror të Moskës unë kam pasur kaq shumë probleme. Jam jashtëzakonisht e lumtur për vetë faktin që së bashku me trajnerin tim, Eugeni Trofimov, i treguam qartë të gjithëve se "epoka e Isinbajevës" erdhi përsëri dhe se nuk ka përfunduar kurrsesi.