Sipas njoftimeve të Agjencisë Federale të Turizmit të Rusisë, tani në Egjipt pushojnë më shumë se 50 mijë rusë. Së shpejti atyre do t'u bashkohen edhe 2.500 pushues të tjerë bashkatdhetarë. Përkundër rekomandimit të Ministrisë së Jashtme të Rusisë që të përmbahen nga udhëtimet në këtë vend, qytetarët rusë, të cilët e kanë ndarë tashmë mendjen për të kaluar pushimet në Egjipt, nuk kanë ndërmend të ndryshojnë planet e veta. Dhe kjo jo për shkak se ata kanë frikë të humbasin paratë e paguara për paketën turistike. Në këtë rast turistët kanë të drejtë ta shtyjnë udhëtimin për një kohë tjetër, në ndonjë vend tjetër ose të pretendojnë për kthimin e gjithë shumës së paguar nga firma turistike. Nëse personi shkon megjithatë në Egjipt, por pas vlerësimit të situatës në vend vendos të kthehet para kohe në atdhe, ai mund ta bëjë këtë pa asnjë problem, tha Drejtuesja e Shoqatës së Operatorëve Turistikë të Rusisë, Maja Llomidze:

- Edhe pse resortet dhe kompanitë pritëse vazhdojnë të punojnë në mënyrë krejtësisht normale, të enjten kishte edhe njerëz që shprehën dëshirën për të ndërprerë pushimet para kohe. Të tillë ishin pesë opo shtatë vetë. Kjo nuk përbën për ne kurrfarë problemi. Kompania pritëse në Egjipt i ul njerëzit në vendet e lira ​​të aeroplanëve që kthehen në Rusi dhe i sjell ata në atdhe. Dua të theksoj - pa pagesë shtesë.

Duam të vëmë në dukje se tani për tani Moska nuk sheh nevojën e evakuimit emergjent të shtetasve të saj nga Egjipti. Por në qoftë se do të lindë nevoja për një gjë të tillë, atëhere aeroplanët e Ministrisë ruse të Situatave të Jashtëzakonshme janë të gatshëm të nisen menjëherë për të marrë rusët.

Kompanitë ajrore ruse nuk kanë ndërmend të anulojnë fluturimet tashmë të planifikuara në Egjipt. Siç shpjeguan në Agjencinë Federale ruse të Transportit Ajror, tani për tani nuk bëhet fjalë për ndalimin e fluturimeve në Egjipt, ndërsa njoftimet e MPJ-së kanë vetëm karakter rekomandues. Nuk është shpallur ndonjë ndalim zyrtar as për shitjen e paketave turistike në Egjipt, por operatorëve turistikë u është këshilluar të ndërpresin përkohësisht dërgimin e njerëzve në këtë rajon të rrezikshëm.

Ministritë e jashtme të vendeve europiane, në të cilat pushimet në resortet e Detit të Kuq kanë gëzuar tradicionalisht popullaritet të madh, përpiqen t’i bindin qytetarët e vet që të mos ndërmarrin tani udhëtime në Egjipt. Ndërsa firmat turistike finlandeze “Finnmatkat” dhe “Tjäreborg” kanë ndërmend të largojnë deri të hënën nga Egjipti të gjithë klientët e vet që ndodhen me pushime atje. Në momentet aktuale “Finnmatkat” ka 130 turistë në Egjipt. Gjatë fundjavës së ardhshme do të transportohen nga Egjipti për në atdhe edhe më shumë se 200 turistë norvegjezë.

Ndërkohë egjiptianët e punësuar në sferën e turizmit janë pushtuar nga ethet e panikut. Nëqoftëse në vend nuk do të vijnë më vizitorë e pushues nga vendet e huaja, atëhere ata do të mbeten, në kuptimin e plotë të fjalës, pa mjete jetese.