Lajmi i bërë publik ka shkaktuar zemërimin dhe indinjatën e thellë të qytetarëve, ndërsa autoritetet në Londër kërkuan nga kompania-zhvilluese heqjen e këtyre koshave nga rrugët. Ndërkohë, ekspertët deklarojnë se njerëzimi që në të ardhmen e afërt do të mësohet të jetojë në kushte të tilla teknologjikisht-universale.

Korpusi i rrumbullakosur mjaft elegant, ekrani LCD, prania e wireless Wi-Fi. Të gjitha këto nuk janë aspak karakteristikat e ndonjë gadget-i të ri portativ, por të "koshave të zgjuar të plehrave", të cilët u vendosën gjithkund në City përpara Olimpiadës në Londër. Një vit më vonë kërkohet me këmbëngulje heqja e tyre nga rrugët e qytetit. Arsyeja - me ndihmën e sensorëve pa tel ata janë të aftë për të mbledhur informacionin nga telefonat celularë të kalimtarëve. Kjo ndihmon për t’i dërguar përdoruesit të telefonit reklama të shënjestruara, tregoi për Radiokompaninë “Zëri i Rusisë” IT-eksperti Pavell Vallushko:

- Këta "kosha plehrash" mund të përcaktojnë me saktësi se ku shkoni zakonisht ju, sa ndalesa bëni gjatë rrugës dhe në çfarë dyqani hyni. Ka kompani që i dërgojnë reklamat në varësi të vendndodhjes së smartphone tuaj.

Situata me një vjelje të tillë të të dhënave nuk është aspak e re. Eksperti rus Georgi Trusov kujtoi skandalin e bujshëm publik të një viti më parë:

- Rasti më zhurmëmadh ka ndodhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me Rrjetin Target. Babai i indinjuar dhe fort i zemëzuar i një nxënëseje të shkollës së mesme erdhi në dyqan dhe kërkoi që t’i shpjegojnë përse vajzës së tij i dërgojnë informacionin e lidhur me edukimin e foshnjave, sepse ajo është ende një nxënëse. Pak ditë më vonë, pasi atij i kërkuan ndjesë me të gjitha mënyrat e mundshme, ai u kthye në këtë dyqan kërkoi falje nga ana e tij. Sepse doli që vajza e tij ishte shtatzënë. Kompjuteri e llogariti këtë me anë të përdorimit të metodave të data mining - nxjerrjen e të dhënave nga pjesët e zgjedhura të mostrave të mëdha.

Një informacion i tillë është burim i artë fitimi për rrjetet tregtare. Mbi këtë bazë ato planifikojnë se ku saktësisht duhen drejtuar miliarda mjete financiare apo parashikojnë kërkesën e ardhshme. Sot, banorët e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pa e ditur as vetë këtë, janë bërë subjekt i mbikëqyrjes së përqendruar, vazhdon eksperti:

- Kur ndryshon menjëherë sjellja e konsumatorit, kjo do të thotë se diçka ka ndryshuar në jetën e njeriut. Dhe ky informacion është absolutisht thelbësor për rrjetet e mëdha tregtare. Për ato analiza e të dhënave të tilla është burimi i mbijetesës. Ato dinë në lidhje me ju madje dhe ato gjëra, të cilat nuk është në gjendje t’i modelojë kurrë as edhe një sociolog në botë. Këto teknologji nuk kanë se ku të shkojnë më. Ato do të vijnë vetëm duke u perfeksionuar.

Siç tregoi qartë skandali i kohëve të fundit në City, shoqëria nuk është ende e gatshme për të pranuar një penetrim të tillë. Disa qytetarë tashmë kanë apeluar në organizatat për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut. Viktima të spiunëve të plehrave, sipas raporteve të medias britanike, janë bërë më shumë se 4 milionë njerëz.