Pas valës së trazirave masive, që përfshiu gjithë Egjiptin, qeveria shpalli në vend gjendjen e jashtëzakonshme. Dhe kjo masë nuk duket aspak e tepruar, e ekzagjeruar. Sidomos po të merret parasysh fakti se trazirat kërcënojnë Trashëgiminë Historike Botërore të depozituar në muzeumet e Egjiptit. Grabitësit kanë tentuar tashmë të depërtojnë në Muzeun Kombëtar në Aleksandri. Pas kësaj qeveria egjiptiane ka urdhëruar mbylljen e të gjitha muzeumeve të vendit dhe vendet e gërmimeve arkeologjike. Situatën e krijuar e komenton eksperti rus për çështjet e Lindjes së Mesme bashkëkohore, Gumer Isajev:

- Egjipti është një nga qendrat kërkimore kryesore të botës së lashtë. Dhe pavarësisht nga fakti se eksponatet më të rëndësishme ndodhen përtej kufijve të Egjiptit - në Britaninë e Madhe, në Gjermani - koleksionet egjiptiane të antikitetit janë ndër më të pasurat në botë. Dhe, siç ka ndodhur tashmë jo një herë në Lindjen e Mesme, gjatë periudhave të tronditjeve e trazirave serioze muzeumet u janë nënshtruar plaçkitjeve. Dhe, duhet thënë, se kjo punë e zezë nuk bëhej nga grabitësit e thjeshtë, por nga profesionistët, të cilët merren me vjedhjen dhe rishitjen e sendeve me vlerë.

Ajo çfarë po ndodh tani në Egjipt i detyron autoritetet e vendeve të tjera të shqetësohen për qytetarët e tyre që ndodhen në këtë vend. Kështu, Ministria e Punëve të Jashtme të Belgjikës dhe MPJ-ja e Letonia i kanë këshilluar shtetasit e tyre të shmangin udhëtimet në Egjipt. Të njëjtën gjë bëri edhe Ministria e Jashtme Ruse. Reduktimi i fluksit turistik do të ketë pasoja jashtëzakonisht të rënda, të trishtueshme për Egjiptit, shprehet me bindje të plotë Gumer Isajev:

- Turizmi, sigurisht, që është komponenti kyç i ekonomisë egjiptiane. Këto nuk janë vetëm hotelet dhe infrastruktura, por dhe qindra e mijëra njerëz të përfshirë në këtë fushë jo direkt. Këta janë njerëzit që prodhojnë një shumëllojshmëri të madhe të produkteve turistike, suvenire, që ofrojnë garantimin e sigurisë, që punojnë në hotele.

Situata në Egjipt u përshkallëzua në mënyrë drastike pasi policia shkatërroi dy kampe me çadra të opozitës në Kajro. Ky operacion i policisë u shndërrua në një kasaphanë të vërtetë. Sipas fjalëve të dëshmitarëve okularë, të dyja palët kanë përdorur armët e zjarrit. Shumë shpejt pas kësaj trazirat u përhapën në qytete të tjera të Egjiptit. Si rezultat, sipas shifrave zyrtare, janë vrarë 526 vetë, në mesin e të cilëve edhe 43 policë.