Rezidenca e Kreut të Azerbajxhanit e priti Liderin rus me kohë me diell të ndritshëm. Kurse Deti Kaspik në motin e nxehtë, që po mban në vend, ishte veshur me një mjegull të lehtë, të kaltër fluturake. Meqë ra fjala, çështja e të ardhmes së Detit Kaspik, si dhe problemet e bashkëpunimit midis vendeve të pellgut të Kaspikut u përfshinë ndër temat e bisedimeve. Sipas fjalëve të Presidentit Putin, Rusia është e interesuar në zgjidhjen e përbashkët të problemeve të rajonit të Detit Kaspik:

- Një vëmendje të madhe në rrjedhën e negociatave ne i kushtuam zgjidhjes së problemeve të rajonit të Kaspikut. Ne jemi shumë të interesuar që ky rajon të bëhet një rajon paqeje dhe bashkëpunimi. Këtu mbeten ende të pazgjidhura shumë probleme: ato kanë të bëjnë me çështjet e sigurisë, me kufijtë, me ruajtjen e divesitetit (shumëllojshmërisë) biologjik të Detit Kaspik. Ne jemi të interesuar në faktin që të gjitha këto çështje të gjejnë zgjidhje me pjesëmarrjen e të gjitha shteteve bregdetare pranëkaspike.

Sot në Azerbajxhan janë përfaqësuar më shumë se 500 kompani ruse. Për shembull, “Lukoil” eksploron dhe prodhon gaz natyror në vendburimin detar të lëndëve hidrokarbure "Shah Deniz" si dhe zotëron gjithashtu një rrjet të tërë stacionesh të furnizimit me karburant dhe një depo për ruajtje të karburantit. Në lidhje me rëndësinë e bashkëpunimit në projektet për zhvillimin e degës së hidrokarbureve Vladimir Putin u shpreh si më poshtë vijon:

- Rusia dhe Azerbajxhani janë lojtarë të mëdhenj ndërkombëtarë, madje ndër më kryesorët, në sektorin e energjetikës. Në këtë drejtim po realizohet bashkëpunimi reciprokisht i dobishëm. Volumi i punës është shumë i madh dhe ka tendencë për zgjerim të mëtejshëm. Sot u nënshkruan marrëveshjet me një perspektivë 15-20 vjeçare. Dhe kjo është një bazë e mirë për bashkëpunim në vitet që vijnë.

Jo më pak i rëndësishëm në vitet e fundit ka qenë edhe bashkëpunimi në sektorin financiar: në tregun e Azerbajxhanit punojnë mjaft aktivisht bankat ruse, vitin e kaluar në këtë vend erdhi një nga kompanitë më të mëdha ruse të sigurimit. Tregu i Azerbajxhanit është një ndër prioritarët për kompaninë ruse “KamAZ”, furnizon makinat e veta në të edhe “AvtoVAZ”. Vladimir Putin vuri në pah nivelin e lartë të marrëdhënieve ndërshtetërore:

- Marrëdhëniet tona janë në kurbë ngjitëse. Ne kemi konstatuar tashmë se, megjithë kompleksitetin e ekonomisë globale, tregtia jonë është në rritje: qarkullimi tregtar vitin e kaluar është rritur me gati 50%. Ky është një tregues mjaft i mirë.

Edhe një fushë tjetër e bashkëpunimit mes dy vendeve është arsimi. Meqë ra fjala, Kryetari aktual i shtetit Ilham Alijev është diplomuar në kohën e vet në Institutin Shtetëror të Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Moskës (MGIMO). Sot në universitetet ruse po arsimohen rreth 6000 studentë nga Azerbajxhani. Presidenti rus vuri theksin në mënyrë të veçantë në bashkëpunimin humanitar:

- Unë do të doja të theksoja se Azerbajxhani mban një qëndrim jashtëzakonisht të kujdesshëm e të vëmendshëm ndaj zhvillimit të gjuhës ruse, ruajtjes së arsimit, punës së përbashkët në këtë sferë: funksionojnë shkollat e mësimdhënies në gjuhën ruse, janë mjaft aktive degët (filialet) e universiteteve ruse. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse siguron bazën për punë serioze në të gjitha drejtimet e tjera.