Disa media nxituan ta quajnë deklaratën e Michael Morell "kthjellim". Megjithatë, vëzhgimi i ndërveprimit të SHBA-së dhe terroristëve e rebelëve "të zbutur" prej saj hedh hije dyshimi mbi sinqeritetin e shqetësimit të shprehur nga Michael Morrell.

Peter Koenig, një ish-ekonomist i Bankës Botërore që i ka kushtuar shumë vite studimit të metodave të manipulimit mediatik, të përdorura nga strukturat perëndimore politike dhe financiare, komentoi për Radiokompaninë “Zëri i Rusisë” deklaratën e Michael Morell:

- Nga konteksti i këtij "rrëfimi" zbulohet gënjeshtra e ngjizur në të. CIA-s drejton në mënyrë sekrete operacionin më të madh në botë për furnizimin e armëve - nga Libia në Siri. "Opozita siriane" furnizohet me armët më të sofistikuara, më moderne nëpërmjet Turqisë, Emirateve të Bashkuara Arabe, Katarit dhe vendeve të tjera të Gjirit Persik. Këto armë mund të jenë nga kudo, vetëm jo prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës - në mënyrë që të fshihen burimet e furnizimit dhe financimit.

Peter Koenig kujton se "kthjellimi i Morell" nuk është aspak rasti i parë kur zyrtarët e lartë amerikanë "pranojnë me dorë në zemër" se flirtimet e tyre me organizatat terroriste kanë çuar në rezultate të vajtueshme, madje katastrofike:

- Në një nga fjalimet e veta në vitin 2011 Hillari Clinton, ish-Sekretarja Amerikane e Shtetit në atë kohë, pranoi atë, për çka BBC pat deklaruar tashmë që shumë vite më parë, dhe pikërisht: se SHBA-ja e krijoi "Al-Qaeda" për të ndihmuar në luftën kundër Bashkimit Sovjetik në Afganistan. Por, konkludoi ajo, "Al-Qaeda" ka dalë jashtë kontrollit të SHBA-së dhe ky kontroll duhet rivendosur tani.

Kjo ka çuar në situata paradoksale dhe kontradiktore. Për shembull, SHBA-ja mbështeti operacionin ushtarak të Francës kundër militantëve të "Al-Qaeda" në Mali dhe në të njëjtën kohë armatoste e mbështeste "opozitën siriane" - radhët e së cilës më së shumti janë të përbëra nga militantë të "Al-Qaeda".

Peter Koenig vë në dukje se të gjitha veprimet e SHBA-së janë në përputhje të plotë me konceptin e "Shekullit të Ri Amerikan", i cili është shumë i afërt për udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara pavarësisht përkatësisë partiake:

- Deklarata e Michael Morell në botimin "The Wall Street Journal" është edhe një përpjekje tjetër për të mashtruar, për t’i hedhur hi syve komunitetit ndërkombëtar në lidhje me planet e SHBA-së për të përmbysur regjimin e Bashar Al-Assad. Sipas draftit "Shekulli i Ri Amerikan", Siria duhet të bjerë, po ashtu si dhe Irani, pavarësisht nga rezultatet e negociatave. Mënyra e vetme për të shpëtuar popullin e Sirisë dhe të Iranit është ndërhyrja deçizive nga ana e Rusisë dhe Kinës. Veprimet e fuqishme dhe koherente ekonomike të këtyre dy vendeve, ose çka do të ishte edhe më mirë, të të gjitha shteteve të BRICS-it bashkarisht, mund të shkatërrojnë shumë shpejt deri në themel planet ekspansioniste të SHBA-së, dhe pa një pikë të vetme gjaku.

Në të vërtetë, vendet e BRICS-it mund t’i bëjnë të qartë Amerikës se numri i obligacioneve qeveritare amerikane që blihen nga Kina, Rusia, India, Brazili dhe Afrika e Jugut mund të reduktohet ndjeshëm në qoftë se Uashingtoni nuk do të heqë dorë nga politika e vet e "terrorit të menaxhuar" dhe "kaosit të kontrolluar". Një perspektivë e tillë në mënyrë të pashmangshme do t’i detyrojë udhëheqësit amerikanë të marrin në konsideratë pasojat e veprimeve të tyre. Amerika nuk mund t’i lejojë dot vetes që të prishë seriozisht marrëdhëniet me kreditorët e vet të huaj kryesorë. Nëse Uashingtoni nuk reagon ndaj diplomacisë dhe normave të ligjit ndërkombëtar, atëhere, ndoshta, mos do të ishte punë më e mençur të ndikohej, të bëhej presion mbi të nga këndvështrimi ekonomik?