Do të lirohen më shumë se 100 palestinezë që po vuajnë dënime të gjata, duke përfshirë edhe për sulme terroriste kundër izraelitëve. Në Izrael ky veprim shkaktoi një valë të fuqishme kritike, por udhëheqësit e shtetit hebraik arsyetuan se ky do të jetë një demonstrim i qartë i vullnetit dhe gatishmërisë së tyre për të bërë kompromis me kolegët palestinezë. Megjithatë, propabiliteti se negociatat do të jenë të suksesshme është krejtësisht i papërfillshëm, shprehet me bindje të plotë eksperti i Institutit rus të Studimeve Strategjike dhe Analizës Sergei Demidenko:

- Situata aktuale mund të interpretohet në dy mënyra. Nga njëra anë, Izraeli liron të burgosurit palestinezë, kurse nga ana tjetër merr vendimin për vazhdimin e ndërtimit të kolonive hebreje në Bregun Perëndimor të lumit Jordan. Domethënë, kjo është një hap përpara dhe dy hapa mbrapa. I gjithë problemi konsiston në faktin se përparimi në negociatat palestinezo-izraelite, të cilat po reanimohet për të satën herë, por shumë shpejt mund të vdesin heroikisht, është i mundur vetëm për çështje të dorës së dytë.

Ndërkaq, sipas pikëpamjes së Izraelit, nuk ka asnjë kontradiktë midis vendimit për të filluar ndërtimin e vendbanimeve të reja hebraike në territoret e okupuara palestineze dhe lirimit të të burgosurve palestinezë. Logjikën e një arsyetimi të tillë e komenton bashkëpunëtori i Departamentit të Studimit të Izraelit dhe komuniteteve hebraike të Institutit rus të Studimeve Orientale, Dimitri Marjasis:

- Një gjë është lirimi i të burgosurve palestinezë. Kjo është me të vërtetë një përpjekje për të treguar se Izraeli shprehet i gatshëm për të negociuar. Por e gjithë puna qëndron në faktin se ka koncesione (lëshime), por ka dhe vendime principiale, me rëndësi themelore. Izraeli mund t’i lirojë të burgosurit, por çështja e statusit të territoreve është subjekt i zgjidhjes përfundimtare të konfliktit palestinezo-izraelit. Dhe për sa kohë që nuk është arritur zgjidhja e tij, Izraeli është i lirë, siç sugjerohet nga një pjesë e qarqeve politike të tij, të bëjë çfarëdo që ai dëshiron. Për shkak se këto territore janë konsideruar si hebraike nga një pjesë e shoqërisë izraelite, pasi janë të marra si rezultat i luftës.

Vendimi për vazhdimin e ndërtimit të vendbanimeve (kolonive) të reja hebraike në Bregun Perëndimor të lumit Jordan është kritikuar jo vetëm nga palestinezët. Kundër tij është shprehur fare hapur Bashkimi Evropian, i cili, ndryshe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mban më tepër një qëndrim pro-palestinez. Udhëheqja e BE-së beson se ndërtimi i vendbanimeve të reja izraelite bie në kundërshtim me rezolutat e OKB-së. Në lidhje me këtë Brukseli lëshoi ​​një direktivë të veçantë. Ky dokument i ndalon të gjithë anëtarët e Bashkimit Evropian për të financuar çdo person që jeton në vendbanimet (kolonitë) hebreje në Bregun Perëndimor të lumit Jordan dhe në Jeruzalemin Lindor.