Kështu, për shembull, politikani belg Karel De Gucht 14 vjet, që nga viti 1980, ka qenë anëtar i Parlamentit Evropian, pastaj u bë senator në vendin e tij, dhe, më në fund, Ministër i Punëve të Jashtme. Kurse në vitin 2009 ai hyri në përbërjen e Komisionit Evropian dhe u emërua Komisioner për Zhvillimin dhe Ndihmën Humanitare. Por pa kaluar as dy muaj ai u bë Komisioner për Çështjet e Tregtisë. Po kaq e pasur dhe “shumëngjyrëshe” është edhe karriera europiane e spanjollit Joaquin Almunia. Një ish-profesor i Ligjit të Punës në Universitetin e Harvardit, ndërsa më vonë Ministër i Punës dhe Punësimit, ai në fillim u emërua Komisioner për Ekonomi dhe Financa, kurse në vitin 2010 - Komisioner për çështjet e konkurrencës.

Jo më pak poliedrike është edhe figura e përfaqësueses së Luksemburgut Viviane Reding. E diplomuar në antropologji dhe gazetare për nga përvoja e punës, ajo për 10 vjet ka mbajtur postin e Komisioneres për Arsim, Kulturë dhe Sport, pastaj të Komisioneres për Shoqërinë e Informacionit, ndërsa që nga viti 2010 atë të Komisioneres së BE-së për Drejtësi dhe të Drejtat Civile. Kurse emërimi në vitin 2008 i baroneshës Catherine Ashton fillimisht Komisionere për Tregtinë dhe një vit më vonë Përfaqësuese e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë do të mbetet, me sa duket, misteri më i padepërtueshëm i Shefit të Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, ironizon edicioni “EU-Infothek”.

Nuk ia vlen të vazhdohet më tej lista e emërimeve misterioze në Komisionin Evropian, që u publikua nga Internet-portali austriak. Ne nuk na mbetet gjë tjetër veçse të pajtohemi me mendimin e “EU-Infothek” se pas zgjedhjeve të pritshme të vitit të ardhshëm në Parlamentin Evropian punës me një praktikë të të tillë duhet t’i jepet fund njëherë e mirë. Ndërkohë në adresë të Komisionit Evropian kanë filluar të tingëllojnë akuza për fryrje të stafit të komisionerëve e bashkëpunëtorëve të tij dhe për marrjen prej tyre të përfitimeve të pamerituara. Analisti politik rus Sergej Utkin vëren edhe një anë tjetër të problemit:

- Edhe në qoftë se një vend nuk është në gjendje, në parim, të ofrojë ndonjë figurë me nivel të lartë profesional, ai duhet të propozojë megjithatë patjetër dikë. Që këtej rrjedh dhe rezultati i përftuar.

Duke komentuar debatet në lidhje me nevojën e reduktimit të ofiqeve zyrtare në BE, Kreu i fraksionit të Partisë së Lirë Demokratike në Bundestagun gjerman, Rainer Brüderle, tha në një intervistë në radio si vijon:

- Nuk ka mungesë postesh e detyrash shtetërore (ka sa të hajë dreqi të tilla!). Mungojnë vetëm ata që janë të aftë për të zgjidhur realisht problemet ekzistuese.