Liderët botërorë të prodhimit të naftës janë përfshirë në mënyrë mjaft aktive në projektet e naftës dhe gazit në këtë vend, edhe pse rreziqet politike dhe ligjore, për ata që vijnë në Irak, janë mjaft të larta. Por edhe përfitimet janë mëse evidente. Kompanitë ruse në këtë çështje tregojnë shumë kujdes dhe maturi. Nëqoftëse ekziston bindja njëqind për qind në lidhje me garantimin e sigurisë, ato të fillojnë të punojnë në mënyrë edhe më aktive, thekson Presidenti i Bashkimit të industrialistëve të Naftës dhe Gazit të Rusisë, Gennadi Shmal:

- Përkatësisht rezervave disponuese të naftës Iraku zë një ndër pozicionet kryesuese në botë. Përveç kësaj, në këtë vend ka kushte shumë të mira minerare, gjeologjike. Prandaj, si rregull, puna në këto rajone - qoftë ky Iraku, Arabia Saudite apo Kuvajti - është mjaft fitimprurëse për kompanitë e naftës, dhe ato tregohen të gatshme për të shkuar atje. Ndërsa duke pasur parasysh faktin se, për shembull, Arabia Saudite, është një vend shumë i mbyllur, Iraku sot paraqitet më atraktiv nga pikëpamja e kompanive ruse. Edhe pse atje janë të rralla ditët pa sulme terroriste, në objektet e industrisë së naftës dhe gazit në vitet e fundit ruhet një situatë pak a shumë e qetë.

Një këndvështrim disi tjetër ndaj problemit të punës në Irak dhe rreziqeve të atjeshme shprehu eksperti rus Sergei Pravosudov. Formalisht Iraku është një shtet, por, në fakt, rajonet veriore të tij - Kurdistani, janë diçka e ngjashme me autonominë. Ato lidhin në mënyrë të mëvetësishme kontrata për shfrytëzimin e vendburimeve të naftës në territoret e tyre. Dhe kushtet atje janë më të favorshme se në kontratat, të cilat nënshkruhen nga qeveria qendrore. "Gazprom Neft" ka lidhur kontrata edhe me Kurdistanin, edhe me qeverinë qendrore. Kontrata për vendburimin e naftës Badra u nënshkrua me qeverinë qendrore dhe është e projektuar për prodhimin e naftës për një periudhë 20 vjeçare, vë në dukje eksperti:

- Sipas kësaj kontrate, kompania që merret me nxjerrjen (prodhimin) e lëndës hidrokarbure nuk përfiton naftë për shitje, por një pjesë të caktuar nga të ardhurat e fituara prej realizimit së saj në treg. Për shkak të faktit se kostoja e naftës në Irak është një nga më të ulëtat në botë, puna atje rezulton fitimprurëse për kompanitë. Por vështirësi, sigurisht, që ka shumë, sidomos kur pothuajse çdo ditë dëgjojmë për sulme të reja terroriste në këtë vend.

Në Irak po vazhdon konfrontimi i sunive dhe shiitëve. Dhe i gjithë problemi konsiston në faktin se deri në çfarë grade do të përshkallëzojë ai. Nga kjo do të varet fati i investimeve, mendon eksperti. Nëse atje do të fillojë një luftë e vërtetë civile, nxjerrja e naftës do të komplikohet shumë. Si minimum, ajo patjetër do të jetë më e shtrenjtë, meqenëse ne do të jemi të detyruar të shpenzojmë shumë mjete e forca për garantimin e sigurisë. E megjithatë, kompania e tretë ruse e naftës tashmë po hyn për punë në Irak. Ndërsa kjo do të thotë se klima e biznesit në këtë vend është duke u përmirësuar dhe se autoritetet irakiane janë duke punuar aktivisht për të tërhequr investitorët dhe t'ia bërë atyre punën sa më të sigurtë.