Fundi i viteve ‘40 - fillimi i viteve ‘50 ishte një kohë me të vërtetë e madhe për programin bërthamor sovjetik. Analistët amerikanë, duke vlerësuar nivelin e zhvillimit të shkencës dhe teknologjisë në Bashkimin Sovjetik, parashikonin se për krijimin e bombës atomike "sovjetëve" do t’i duheshin rreth 10 vjet dhe përcaktuan kohën e provave të para bërthamore në mesin e viteve pesëdhjetë. Prandaj qe fort e pakëndshme për Uashingtonin prova e parë e bombës atomike sovjetike e 29 gushtit të vitit 1949.

Në përgjigje të kësaj amerikanët intensifikuan punën për zhvillimin e potencialit të vet bërthamor. Bashkimi Sovjetik kishte nevojë për një përgjigje adekuate, përndryshe do të vihej në rrezik ekzistenca e mëtejshme e shtetit dhe sigurisht ai kurs që zgjodhi vendi për avancimin e vet pas fitores në Luftën e Dytë Botërore.

Dhe ja erdhi 12 gushti i vitit 1953, data e testimit të bombës së parë sovjetike me hidrogjen. Ky ishte një zhvillim mjaft origjinal, i krijuar nën drejtimin e shkencëtarëve Andrei Saharov (Andrei Sakharov) dhe Julia Haritova (nuk është sekret për askënd se bomba e parë atomike sovjetike u bazua në zhvillimet sekrete të siguruara me shumë mund prej zbuluesve tanë). Puna kryesore u realizua në Byronë e Konstruktimit-11 (russ. КБ-11) - aktualisht kjo është Qendra Federale Bërthamore Ruse e vendosur në qytetin e Sarovit (Rajoni i Vollgës) - djepi i armatimeve bërthamore sovjetike.

Poligoni në Semipalatinsk u përgatit seriozisht për kryerjen e testimeve bërthamore. Ato punë, të cilat sot është e mundur të llogariten dhe të vlerësohen me ndihmën e Superkompjuterit (meqë ra fjala, Superkompjuteri më i fuqishëm rus aktualisht ndodhet pikërisht në Qendrën Bërthamore të Sarovit), i bënin me anë të matjeve të drejtpërdrejta në terren. Për realizimin e testit bërthamor u përgatitën rreth 3.000 pajisje matëse dhe regjistruese. Në fushë u ndërtuan në distanca të ndryshme nga pika e shpërthimit 190 konstruksione diverse. U vendosën gjithashtu 7 tanke, 17 armë artilerike dhe minahedhës. Në aerodrom ndodheshin 16 aeroplanë. I gjithë procesi u xhirua duke u fiksuar në pelikulë.

Shpërthimi ishte aq i fortë, saqë brenda një rrezeje prej 4 kilometra nga epiqendra e tij ndërtesat u shkatërruan plotësisht. Ura hekurudhore me harqe metalike 100 tonëshe ndërmjet këmbëve të saj, e cila gjendej në distancë 1 kilometër nga bomba e detonuar, fluturoi 200 metra tej.

Bomba, e cila u testua në poligonin e Semipalatinsk-ut në gusht të vitit 1953, nuk ishte bomba e parë hidrogjenike në botë. Në SHBA, gjithashtu, ishte ndërmarrë shumë intensivisht zhvillimi i armëve termobërthamore dhe kryeshin rregullisht testime të tyre. Por kjo ishte arma e parë hidrogjenike që mund të transportohej relativisht lehtë. Në mjedis industrial bombat me hidrogjen filluan të prodhohen dy vjet më vonë, por pikërisht testimi i kryer në poligonin e Semipalatinsk-ut në vitin 1953 krijoi atë ekuilibër të brishtë në “Luftën e Ftohtë”, i cili u arrit të ruhet deri në mesin e viteve ‘80.

Në vitet 1940-1950, ç’është për të ardhur keq, nuk ishte përpunuar ende informacioni në lidhje me rreziqet serioze të eksperimenteve me materialet e zbërthyeshme. Nuk mund të lihet kurrsesi në heshtje, pa u komentuar pra, edhe ai fakt, se testet e para bërthamore i kanë shkaktuar dëme jashtëzakonisht të mëdha mjedisit. Nuk duhet harruar gjithashtu se ne deri tani nuk mund të themi me siguri të plotë që dimë gjithçka mbi efektet e ndikimit të rrezatimit jonizues në organizmin e njeriut ...

Por mundësi të tjera për kryerjen e testimeve bërthamore në atë kohë, thjesht, nuk kishte. Sapo ato u dukën, ishte pikërisht Bashkimi Sovjetik ai që doli me iniciativën e fillimit të kufizimit, ndërsa më pas dhe të ndalimit të shpërthimeve bërthamore.