Kishin mbetur vetëm nja 5 km deri në vijën e finishit, kur u shkëputën në mënyrë të dukshme 3 atletë. Më vonë, sportistin kinez dhe atë guatemalas i skualifikuan. Ivanov mbeti i vetëm. Në kilometrin e fundit atij filloi t’’i afrohet me shpejtësi kampioni olimpik i Londrës, kinezi Jin Chen. Por, pas marrjes së paralajmërimit të dytë për teknikë të gabuar gjatë ecjes sportive, ai vendosi të heqë dorë nga ndjekja e Ivanovit këmba-këmbës. Megjithatë, Aleksandër Ivanov, është i gatshëm për të matur forcat me çdo rival:

- Unë jam edukuar në mënyrë të tillë që në fëmijëri që të mos ia kem frikën askujt - kushdo qoftë kampion olimpik, kampion bote apo Rambo, për mua nuk ka asnjë rëndësi. Ne të gjithë startojmë në të njëjtat kushte. Unë kam ëndërruar me të vërtetë për fitoren dhe kam punuar shumë për perfeksionimin e teknikës sime. Kjo është një ndjenjë e papërshkrueshme. Kjo është një lumturi kaq e madhe, saqë nuk gjej dot fjalë për ta shprehur. Tani për tani unë nuk kam arritur ende ta perceptoj deri në fund atë çfarë kam bërë.

Shpresuan tifozët rusë për medalje edhe në disiplinën e kërcimit së gjati për femra. Sepse në finale, thoni çfarë të doni, dolën 3 atlete ruse. Elena Sokollova, e cila këtu në stadiumin “Lluzhniki” (russ. “Лужники”) në Kampionatin kombëtar të Rusisë arriti lartësinë 6.91 metra, këtë herë në përpjekjen e vet më të mirë tregoi rezultatin 6.65 metra. Për Daria Klishina tri tentativat rezultuan në intervalin 6.70 - 6.76 metra. Por kjo i siguroi asaj vetëm vendin e 7-të. Më e mira prej sportisteve rusë doli Olga Kuçerenko (Kucherenko), e cila u nënvleftësua në fillim nga shumica e ekspertëve. Ajo kapi lartësinë 6 metra e 81 cm, por për t’i siguruar vetes medaljen asaj nuk i mjaftuan 2 cm, pasi menjëherë dy atlete treguan të njëjtin rezultat 6.82 m. Kampione botërore në këtë disiplinë u bë amerikania Brittney Reese me rezultatin 7.01 metra. Vetëm me 2 cm mbeti pas saj Blessing Okagbare nga Nigeria. Medaljen e bronzit, me një rekord për vendin e saj, e fitoi Ivana Shpanoviç nga Serbia.

Usain Bolt, ashtu siç dhe pritej, fitoi garën finale në distancën 100 metra. Por amerikani Justin Gatlin rivalizoi me vetmohim me të deri në sekondat e fundit. Mbajtësi i rekordit botëror nga Xhamajka vetëm në metrat e fundit arriti të shkëputet pak, duke treguar rezultatin e dytë të këtij sezoni dhe më të mirin personal - 9. 77 sekonda. Nuk u dha mundësi për t’u relaksuar sportistëve edhe moti: para fillimit të garës nisi shiu, i cili rreshti së rëni vetëm 10 minuta mbas përfundimit të saj.

Elena Isinbajeva-s (Yelena Isinbayeva) për t’u përfshirë në etapën finale të garës së kërcimit me shkop iu desh të bënte një kërcim të vetëm në lartësinë 4 m. e 55 cm. Gara finale në këtë disiplinë sportive do të mbahet të martën.