Por përse ndodhi kjo, mbetet e paqartë deri tani. Ekuipazhi i saj mund të quhej me plot të drejtë elita e Flotës Ushtarake Detare të Rusisë, ndërsa nëndetësja qe një nga më modernet dhe më të sigurtat e Marinës.

Një Obelisk i zi, madhështor, lartësohet në varrezat “Serafimovskoje” të Shën Petersburgut, në të janë gdhendur me gërma ari 69 ° gjerësi gjeografike veriore dhe 37 ° gjatësi gjeorgafike lindore, koordinatat e vendit të katastrofës. Këtu prehen 32 marinarë të nëndetëses "Kursk".

Më 12 gusht të vitit 2000 submarina "Kursk" ishte përfshirë në manovrat e planifikuara në Detin Barenc. Sipas skenarit të stërvitjeve ushtarake, ajo kushtimisht duhej të sulmonte një grup aeroplanmbajtësesh. Lëshimi i silurave mësimore ishte planifikuar të fillonte në orën 11:30 të mëngjesit. Në kohën e caktuar në kryqëzorin "Pjetri i Madh", i cili ndodhej rreth dyzet milje larg nëndetëses, u regjistrua një gjëmim kaq i fortë, saqë dhe vetë anija u trondit. Megjithatë, kjo nuk ishte një lëshim silure. Sepse këtë veprim nuk e fiksuan aparaturat përkatëse të kryqëzorit.

Silura shpërtheu brenda nëndetëses, ndërsa pas saj detonuan municionet e tjera, thotë autori i filmit "E vërteta rreth “Kursk-ut" Ivan Jegorov:

- Nga ky shpërthim i fuqishëm korpusi (trupi) i nëndetëses "Kursk", i cili mund t’i rezistojë madje dhe goditjes së silurës, u deformua në mënyrë të tmerrshme dhe në të u krijua një vrimë e madhe. Midis një morie të tërë fragmentesh shumë tonëshe të nëndetëses, që u ngritën më pas prej zhytësve në sipërfaqe, u gjet serbatori i oksidimit i silurës që duhej të lëshohej nga "Kursk" - ai, në kuptimin e plotë të fjalës, ishte kthyer i tëri përsëmbrapshti duke ekspozuar pjesën e vet të brendshme, domethënë kishte shpërthyer nga brenda.

Pothuajse të gjithë anëtarët e ekuipazhit të "Kurskut" gjetën vdekjen menjëherë. 23 marinarët e mbijetuar u mbyllën në kompartimentet e fundit të nëndetëses. Dhe nuk u dorëzuan deri në momentin e fundit.

Po përse nuk dolën dot në sipërfaqe? Mjetet e shpëtimit, që ndodheshin në nëndetëse, ishin të paarritshme për marinarët, thotë ish-Komandanti i Flotës së Detit të Zi, admirali Igor Kasatonov:

- Ato, për fat të keq, nuk mundën t’i përdornin, sepse për të shkuar deri në kompartimentin e mjeteve të shpëtimit marinarët duhej të kalonin përmes postit qendror, ndërsa ai ishte në zonën e dëmtuar, të deformuar rëndë të nëndetëses. Shpëtimi ishte krejtësisht i pamundur për ta. Marinarët mundën të mbijetonin vetëm 12 orë. Dhe për këto 12 orë asnjë nga shërbimet e shpëtimit nuk do të kishte mundur të bënte dot gjë. Shans për shpëtim ata nuk kishin.

Ekspertët arritën në përfundimin se disa orë pas aksidentit në kompartimentin, i cili nuk ishte prekur nga deformimi, doli jashtë funksionimit pllaka e rigjenerimit, e cila prodhon oksigjen nga dioksidi i karbonit. Marinarët nuk kishin shpëtim. Edhe disa ditë pas tragjedisë miliona njerëz vazhduan të ndjekin me tension ecurinë e operacionit të shpëtimit dhe besonin se kishte ende shanse për shpëtimin e marinarëve. Por mrekullia nuk ndodhi. Kjo fatkeqësi do të mbetet përgjithmonë në kujtesë si një nga më të tmerrshmet dhe më të mëdhatë në historinë e Flotës Ushtarake Detare të Rusisë.