"Paqje e Ftohtë": ky togfjalësh, që ka hyrë në përdorim për të karakterizuar perspektivat e marrëdhënieve ruso-amerikane në vitet e ardhshme, po bëhet kyç për shumë analistë politikë. Është krejtësisht evidente se mosmarrëveshje midis Moskës dhe Uashingtonit janë akumuluar mjaft. Ndër to mund të përmenden: situata në Siri, mbrojtja evropiane antiraket, "Lista e Magnitskit" dhe, së fundi, dhënia e azilit të përkohshëm politik në Rusi ish-agjentit të CIA-s dhe NSA-së Edward Snowden.

Megjithatë, në çdo realitet politik ka ekzistuar gjithmonë kanali i drejtpërdrejtë i komunikimit të presidentëve si instrument për zgjidhjen e kontesteve, çështjeve të diskutueshme. Të paktën, dialogu nuk u ka lejuar forcave të interesuara në konfrontimin e ashpër mes Rusisë dhe SHBA të diktojnë kushtet e veta. Me sa duket, tani me iniciativën e Uashingtonit ky mekanizëm është ngrirë për një kohë të gjatë.

Eksperti amerikan i Fondacionit "Heritage" Ariel Cohen e quan situatën aktuale kundërproduktive:

- Ne mund të humbasim si shumë në marrëdhëniet tona: edhe në fushën e energjetikës, edhe në bashkëpunimin ekonomik, edhe në sferën e sigurisë ndërkombëtare. Rusët kanë nevojë për teknologjitë amerikane dhe investimet në Arktik, në projektet e prodhimit (nxjerrjes) të naftës dhe të gazit, në zhvillimin e Lindjes së Largët dhe, meqë ra fjala, të dy vendet janë të kërcënuar nga ekstremistët islamikë. Krerët e ilegalitetit çeçen kanë paralajmëruar pak kohë më parë se do të sulmojnë Lojrat Olimpike Dimërore në Soçi, ndërsa SHBA-ja u detyrua të mbyllë ambasadat e veta për shkak të kërcënimeve në Jemen. Unë jam i bindur se shërbimet e inteligjencës amerikane do të bashkëpunojnë me Rusinë në mënyrë që të parandalohen sulmet mbi objektet e Olimpiadës në Soçi. Ka shumë e shumë punë, të cilat ne mund t’i bënim për mrekulli së bashku, por, për fat të keq, njerëzit me mentalitetin e “Luftës së Ftohtë” nuk janë aspak të predispozuar për bashkëpunim, dhe ky është gabimi i tyre i madh.

Drejtori i revistës italiane "Geopolitica" Tiberio Graziani është i prirur për ta lidhur përkeqësimin e marrëdhënieve midis Moskës dhe Uashingtonit me ambiciet globale të Shteteve të Bashkuara, të cilat Rusia, si një prej lojtareve kryesore (kyçe) ndërkombëtare, nuk mund t’i mbështesë:

- Unë nuk e prisja kurrsesi një hap të tillë nga ana e Obamës, pasi në lidhje me rastin e Snowden Rusia demonstroi një transparencë të madhe, të cilën Shtetet e Bashkuara duhet ta kishin shfrytëzuar. Por kjo nuk ndodhi. Situata e krijuar të kujton atmosferën dhe prirjet e periudhës së “Luftës së Ftohtë”. Mua më duket se refuzimi i Obamës për takimin me Putin, në fakt, nuk është një mesazh paralajmërues vetëm për Moskën, por edhe për aleatët e tij evropianë. Me fjalë të tjera, Shtetet e Bashkuara e ndjejnë për mrekulli se BE-ja nganjëherë nuk pajtohet me politikën e Amerikës. Duhet theksuar gjithashtu se ndërhyrja e bezdisshme këmbëngulëse e Shteteve të Bashkuara në hapësirën gjeopolitike euroaziatike i krijon probleme Rusisë - vendit qendror të këtij rajoni. Prandaj, nëse flasim për një rikthim në “Luftën e Ftohtë”, ky është drejtimi i zgjedhur nga SHBA-ja dhe jo Rusia.

Fakti i tërheqjes së njëanshme të Barack Obamës nga kontaktet në nivel të lartë është, padyshin, një hap i madh prapa, pranojnë në komunitetin e ekspertëve. Dhe e gjithë përgjegjësia për pasojat politike të tij bie mbi Shtëpinë e Bardhë.