- Zoti President, pesë vjet më parë Abhazia u bë subjekt vlerëplotë i së drejtës ndërkombëtare. Me cilat shtete ka vendosur ajo sot marrëdhënie të plota diplomatike?

- Tani për tani këto janë Venezuela, Nikaragua, Tuvalu, Vanuatu, Nauru. Dhe, sigurisht, Rusia. Unë duhet të theksoj në mënyrë të veçantë se kjo ishte një ngjarje epokale.

- Si po zhvillohen aktualisht marrëdhëniet e Republikës së Abhazisë me Osetinë e Jugut, Rusinë, Gjeorgjinë, Axharinë (Ajaria)?

- Marrëdhëniet tona me Rusinë janë të plota. Që nga viti 2008 kanë ndodhur shumë ngjarje. Ne kemi nënshkruar, përveç marrëveshjes së madhe, shumë dokumente të tjera, të cilat i ndërtojnë marrëdhëniet tona në mënyrë sistematike, në kuadrin ligjor dhe në përputhje me normat e ligjit ndërkombëtar.

Për ne këto marrëdhënie janë jashtëzakonisht të shtrenjta. Ato janë quajtur prej nesh aleate, strategjike. Ne shpesh themi që këto janë marrëdhënie vëllazërore, të cilat ne do të vazhdojmë t’i forcojmë më tej. Rusia na ndihmon gjithmonë ne, edhe para vitit 2008 na ka ndihmuar gjithashtu. Kjo është mishëruar edhe në mundësinë e marrjes së shtetësisë nëpërmjet procedurës së thjeshtuar për një numër shumë të madh të qytetarëve tanë. Pensionistët tanë, të cilët e kanë merituar një pleqëri të denjë, tashmë që prej shumë vitesh marrin pensione ruse dhe gjithmonë flasin me ngrohtësi dhe respekt të madh për vendin, i cili pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik i mbështeti seriozisht ata. Rusia është partnerja jonë kryesore tregtare. Me Rusinë ne kemi marrëdhënie intensive në shumë fusha dhe jo vetëm në ekonomi.

Në lidhje me marrëdhëniet me Gjeorgjinë. Midis dy vendeve tona kalon kufiri dhe ne duam të jetojmë në mënyrë paqësore me të. Ne kemi ngritur vazhdimisht përpara politikanëve gjeorgjiane çështjen në lidhje me domosdoshmërinë e nënshkrimit të një traktati paqeje. Duhet t'i vihet pikë më në fund kësaj lufte. Por përgjigje pozitive nga ana e palës tjetër, për fat të keq, nuk po marrim. Ne besojmë se mund të jemi fqinjë mëse normalë. Tjetër fat ne nuk kemi, dhe kthim në të kaluarën gjithashtu nuk do të ketë më.

Me Axharinë (Ajaria), si rajon i Gjeorgjisë që është, ne nuk kemi kurrfarë marrëdhëniesh, përveç një deti të përbashkët që lag brigjet tona.

Marrëdhëniet me Osetinë e Jugut janë marrëdhënie krejtësisht të veçanta. Vendet tona janë vazhdimisht në kontakt, ne shkëmbejmë delegacione, nënshkruajmë dokumente ndërkombëtare dhe mbështesim njëri-tjetrin në të gjitha çështjet që janë të lidhura me afirmimin tonë si shtete të pavarura.

- Është njoftuar se në Abhazi kohët e fundit po kthehen bashkatdhetarët nga Siria, nga Turqia. Sa i madh është migrimi i njerëzve prej këtyre dhe vendeve të tjera?

- Tashmë dihet fort mirë se çfarë ka ndodhur me abhazianët sirianë, kjo është e lidhur me luftën që shpërtheu në atë vend. Ne kemi pranuar me dy etapa në total më shumë se 400 njerëz, duke përfshirë edhe fëmijë. Ata janë vendosur në rajone të ndryshme të Abhazisë dhe ne jemi duke marrë të gjitha masat e nevojshme për adaptimin e tyre sa më të shpejtë me mjedisin e ri të jetesës. Ne nuk mund të mbetemi indiferentë ndaj fatit të bashkatdhetarëve tanë që jetojnë në Siri.

- Si do t’i vlerësonit Ju sot investimet e huaja në ekonominë e Republikës së Abhazisë?

- Investimet e huaja në Abhazi kanë filluar që prej shumë vitesh. Vërtetë, në shifra absolute këto nuk janë para të mëdha, por ato janë të pranishme megjithatë. Ne përpiqemi t’i ndihmojmë dhe t’i favorizojmë investitorët. Besoj se në të ardhmen e afërt investimet në Abhazi do të rriten, dhe nuk mund të mos theksoj në këtë rast se më së shumti këto janë investime ruse. Vendi ynë ka pak kohë që ka dalë nga lufta dhe ne kemi një mal me probleme. Gjithkund nevojitet kapitali fillestar në mënyrë që të lehtësohet në ndonjëfarë mënyre jeta në vend.

- Zoti President, a ka pësuar ndonjë ndryshim me kalimin e viteve vlerësimi juaj përkatësisht ngjarjeve të gushtit të vitit 2008?

- As vlerësimi im dhe as vlerësimi i qytetarëve të Abhazisë pas shtatorit të vitit 2008 nuk ka pësuar kurrfarë ndryshimi. Ato ishin kohë shumë të vështira. Më 8 gusht ne do të shkojmë në Ambasadën e Osetisë së Jugut për të kujtuar ato ngjarje tragjike. E njëjta gjë do të kishte ndodhur edhe në lidhje me Abhazinë. Planet e Gjeorgjisë për zgjidhjen ushtarake të problemeve të Osetisë së Jugut dhe Abhazisë ishin tashmë të njohura. Nëse nuk do të kishte qenë ndërhyrja e Rusisë, pasojat do të ishin akoma dhe më të rënda, katastrofale, duhet thënë. E keqja që u ra mbi kokë banorëve të Osetisë së Jugut ishte me të vërtetë e tmerrshme.

Ne e kujtojmë me dhimbje e trishtim të madh gushtin dhe shtatorin e vitit 2008. Ne kemi theksuar dhe vazhdojmë të theksojmë vazhdimisht rolin kolosal të Federatës Ruse, vendimet e guximshme, burrërore shtetërore që u morrën atëhere nga Presidenti Dimitri Medvediev. Ne e dëgjuam me vemedje të përqendruar intervistën e tij të madhe dhënë Kanalit televiziv “Russia Today”. Ne mendojmë se në të ai përcolli edhe zërin tonë dhe shprehu edhe mendimet tona. Ja ky dhe është vlerësimi ynë i përgjithshëm i ngjarjeve të gushtit të vitit 2008.