Presidenti ka deklaruar gatishmërinë e tij për të përmbushur të gjitha premtimet e bëra gjatë fushatës paraelektorale:

- Unë i premtova popullit gjatë fushatës zgjedhore se qeveria do t'i përgjigjet çdo kërkese të tij. Detyra ime si president është të përmbush të gjitha këto premtime.

Detyrë kjo, për të cilën mund të thuhet apriori, mjaft e vështirë. Presidenti i ri i Iranit është në mënyrë evidente mëse i vetëdijshëm se progresi në të gjitha fushat nuk mund të arrihet pa zgjidhjen e problemit kryesor ekzistues në marrëdhëniet midis Teheranit dhe botës së jashtme - atij bërthamor. Presidenti njoftoi se paketa e propozimeve dhe iniciativat e reja do të paraqiten menjëherë sapo të miratohet përbërja e Kabinetit të Ministrave dhe ekipit të ri të negociatorëve nga ana e Iranit. Ai madje shprehu besimin se "zgjidhja e problemit bërthamor do të ndodhë më shpejt nga ç’pritej".

- Natyrisht, përpara Presidentit të Iranit shtrohet për zgjidhje një detyrë tejet e vështirë. Si të arrihen kompromiset, të cilat të mund të kënaqin kundërshtarët e Iranit dhe në të njëjtën kohë të mos acarojnë e alarmojnë nacionalistët radikalë iranianë? Këtu, sipas ekspertëve, gjëja më e rëndësishme është që ekipi i ri i negociatorëve iranianë të mos përsërisë përvojën e kolegëve të vet që kanë dorëzuar tashmë plotfuqishmëritë e veta. Zhvillimi i negociatave duke u mbështetur në parimin "dialog për hir të dialogut" në situatën aktuale do të ishte krejtësisht i papranueshëm, veçanërisht pas valës së tanishme të optimizmit që ka shpërthyer pas përvijimit të mundësive të reja për dialog.

Nuk ka asnjë dyshim se kontaktet e drejtpërdrejta midis Teheranit dhe Uashingtonit do të mund të lehtësonin zgjidhjen e "problemit bërthamor". Presidenti Rouhani nuk e ka refuzuar këtë. Sipas fjalëve të tij, nëse Shtetet e Bashkuara “do të shfaqin vullnet të mirë dhe respekt, atëhere rruga do të jetë e hapur për ndërveprim".

Nuk la në harresë Hassan Rouhani edhe marrëdhëniet me fqinjët:

- Qeveria e ardhshme do t'i japë përparësi në politikën e vet të jashtme ruajtjes së marrëdhënieve partneriale me shtetet fqinje. Detyra kryesore e Iranit dhe fqinjëve të tij - ruajtja e paqes dhe stabilitetit në rajon.

Kjo është një deklaratë shumë e rëndësishme, meqenëse situata aktuale në Lindjen e Mesme mund të karakterizohet jo vetëm si e paqëndrueshme, por faktikisht si prag lufte. Duke marrë parasysh rolin rajonal të Iranit, mund të shpresohet për pjesëmarrjen konstruktive të Teheranit në zgjidhjen e problemeve të rajonit.

Në përgjithësi, siç venë në dukje gazetarët, përgjigjet nga goja e “babagjyshit të mirë Rouhani” tingëlluan në mënyrën karakteristike, mjaft tipike për politikanët e mëdhenj iranianë: shumë filozofi dhe pak gjëra konkrete. Por le të mos harrojmë se konferenca e parë për shtyp e Presidentit të ri të Iranit ishte një lloj "tullumbace testuese", të cilën Hassan Rouhani e lëshoi në hapësirën globale të informacionit. Tani Teherani do të presë reagimin e përgjigjes me qëllim që të perceptojë më mirë politikën e miqve dhe kundërshtarëve të Iranit.